Zbardhen të tjera detaje nga lidhjet e një pushtetari të lartë shqiptar me Rusinë. Më 16 gusht gazeta tregoi se si një politikan i lartë në vend mban lidhje të forta me Moskën për të forcuar pozitat e tij. Por në dritë kanë dalë të tjerë informacione mbi kontaktet tij me pushtetarë të lartë të Kremlinit përmes këshilltarit të tij. Burime të gazetës pranë shërbimeve informative bëjnë me dije se vetë këshilltari është po ashtu një emër i njohur. Ai ka mbajtur poste të larta në ministri dhe ka shërbyer si këshilltar i politikanit në fjalë në disa institucione për shumë vite.
Për arsye të sekretit shtetëror, gazeta po publikon sot vetëm inicialet e tij. Bëhet fjalë për një shtetas me iniciale R. G., i cili është mbajtur në përgjim për muaj e muaj me radhë. Sipas burimeve, këshilltari dhe njerëz shumë të afërt të zyrtarit në fjalë, kanë kryer disa vizita në Moskë dhe kanë takuar përfaqësues të Dumës ruse, por dhe këshilltarë dhe njerëz shumë pranë Presidentit Putin. Të gjitha këto lëvizje janë dokumentuar nga shtetet partnere, të cilat përveç përgjimeve telefonike, kanë mbajtur dhe në mbikëqyrje personin në fjalë.
Këshilltari duket se lidhjet me Moskën i ka vendosur kohë më parë, pasi ka mbajtur poste dhe në institucione diplomatike. Qëllimi kryesor i tij dhe i politikanit që fshihej pas tij, ishte që të sillnin në Shqipëri një grup të madh biznesmenësh rusë, por dhe të forconin pozitat e disa biznesmenëve të tjerë në Tiranë, që kanë lidhje me Moskën.
Me kalimin e muajve biznesmenët që kanë pasur lidhje me politikanin në fjalë janë ç’propozuar prej tij dhe kanë nisur të bëjnë për vete eksponentë të tjerë të politikës shqiptare. Në bazë të përgjimeve që janë kryer nga shërbimet inteligjente vendase në bashkëpunim me ato partnere, rezulton se një biznesmen i lidhur me rusët, me iniciale P. A., ka pasur kontakte me një përfaqësues të Partisë Socialiste. Bëhet fjalë për një shtetas me iniciale A. A., i cili është bërë për vete nga biznesmeni në fjalë. Falë lidhjeve me Moskën, ky biznesmen po teton madje të kandidojë dhe për deputet, pasi po nxitet nga qarqe ruse. Ndërkohë, politikani i lartë ka vijuar kontakte me përfaqësues të ndryshëm të ambasadës dhe qeverisë ruse, për të forcuar pozitat e tij në politikë.
Loja e qarqeve greke e filoruse
Në kuadër të tentativave të Moskës për të ndikuar në politikën e shteteve të Ballkanit, shërbimet partnere dhe ato shqiptare kanë vënë në përgjim me qindra persona, të dyshuar për lidhje me Moskën. Por gjatë përgjimeve është vënë re se Rusia e ka vendosur syrin te qarqet greke në vend dhe ato antiamerikane. Të gjithë ata pushtetarë që njihen si kundërshtarë të SHBA po tentohen nga Moska të bëhen për vete. Edhe emrat e mësipërm në politikë njihen si filogrekë apo dhe antiamerikanë.
Pra duket se po aktivizohen qarqet e vjetra filogreke në vend. Dihet që Greqia e Rusia kanë lidhje të forta me njëra tjetrën. Sinjali u dha që kur patriarku rus erdhi në vendin tonë, me ftesë të Janullatos. Por lëvizjet e politikanëve shqiptarë duke pasur kontakte me zyrtarë dhe eksponentë rusë mësohet se kanë shqetësuar jashtë mase NATO. Duke qenë se bëhet fjalë për pushtetarë me kompetenca vendimmarrëse, vendet partnere po tregohen vigjilente pasi mund të ketë kërcënime dhe për vetë aleancën. Megjithatë, një gjë është e sigurt: Të gjithë ata që kanë kontakte me Moskën janë identifikuar nga vendet partnere dhe të gjithë po monitorohen prej tyre. /Kliti Topalli
Diskutime rreth kësaj post