Presidenti Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi vijojnë të renditen mes politikanëve më të pasur në vend. Gazeta “SOT” ka siguruar deklarimet e pasurisë nga çifti Meta-Kryemadhi për vitin 2019, ku vihet re se të ardhurat e tyre janë në rritje. Monika Kryemadhi ka deklaruar disa herë se zotëron një pallat “të falur” nga babai dhe 13 apartamentet e përfituara nga ky ndërtim, duket se vijojnë t’i japin ende shumë të ardhura. Kryemadhi ka deklaruar pranë ILDKP se ka përfituar rreth 140 mijë Euro nga kontratat premtim-shitje të apartamenteve.
Pasuria e presidentit
Në deklarimin e pasurisë që presidenti Ilir Meta ka bërë pranë ILDKP për vitin 2019, rezulton se ai ka 2.264.128 lekë të ardhura nga paga si president. 6420 Euro i ka nga të ardhurat e dietave jashtë vendit. Po nga dietat jashtë vendit ka 2.220 Dollarë. “Pakësim në llogarinë në Lek, 1 250 800 lekë. Shtim në llogarinë e përbashkët Besar Metaj dhe Ilir Metaj në lek komisione, 1 244 lekë. Të ardhura neto nga paga si President, 2 264 128 lekë. Të ardhurat nga dietat jashtë vendit, 6420 Euro. Të ardhurat nda dietat jashtë vendit, 2220 Dollarë. Over draft në bank likuiduar nga paga, 135 845 lekë”, ka deklaruar Meta pranë ILDKP.
Pasuria e Monika Kryemadhit
Bashkëshortja e presidentit Ilir Meta, Monika Kryemadhi është ajo që ka korrur më shumë para për vitin 2019. Në deklarimin e saj të pasurisë pranë ILDKP rezultojnë të ardhura rreth 140 milionë euro. “Arkëtim nga kontrata NR… 8 061 Euro (shitje apartamenti) Arkëtim nga kontrata Nr… 5 267 Euro. Arkëtim nga kontrata Nr… 12 176 Euro. Arkëtim nga kontrata Nr… 18 212 Euro. Arkëtim nga kontrata Nr…93 404 Euro. Pakësim i llogarisë bankare në euro, 80 314 Euro. Llogari të hapur në Paund nga konvertimi i eurove nga llogaria në euro, 60 001 GBP. Pakësim i llogarisë në lekë, 785 589 lekë. Interesa të përfituara nga Banka… 2300 GBP”, ka deklaruar Kryemadhi pranë ILDKP. Më tej ka deklaruar 1.393.475 lekë të ardhura nga paga si deputete.
Pasuria e vajzës dhe djalit
Sakaq në deklarimin e pasurisë është edhe pasuria e vajzës së presidentit Bora Meta. Në deklarimin e saj të pasurisë rezulton 158.357 lekë pakësim i debitit në kartën Visa në bank. Një llogari bankare dyemërore Bora Metaj dhe Monika Kryemadhi, 9 521 lekë. 2480 GBP përfituar nga kthimi mbrapsht i një pagese në Universitetin e Strathclyde. Rezulton po ashtu një overdraft në kartën Visa në Bank, 571 724 lekë. Sakaq tek deklarimi i pasurisë së djalit të presidentit rezulton një debit në Visa Card në emrin e tij në bank depozituar nga mamaja e tij Monika Kryemadhi, me shumë prej 575 047 lekë. Po ashtu ai ka deklaruar një likuidim të overdraftit në Visa Card nga mamaja Monika Kryemadhi, më shumën prej 306 001 lekë.
Historia e pasurisë së familjes Meta
Në vitin 2003, Meta ka deklaruar një banesë të përfituar nga privatizimi si dhe një banesë me verandë+lulishte në Golem, 327 m2. Por ajo që u ka dhënë më shumë të ardhura janë 13 apartamente të përfituara nga Monika Kryemadhi. Ajo ka marrë 13 apartamente në kuadër të një marrëveshje me një firmë ndërtimi. Edhe pse në deklaratën e mëparshme pranë ILDKP nuk jepen shumë qartë të dhënat, Kryemadhi rezulton pronare e truallit ku është ndërtuar pallati dhe në këmbim ka marrë 13 apartamente me vlerë totale 1444.8 m2. Shumica e tyre janë shitur nga viti në vit.
Diskutime rreth kësaj post