Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, teksa ka folur për procesin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri, ka thënë se pandëshkueshmëria duhet të marrë fund. Në një intervistë në emisionin “Opinion”, Kim tha se janë hapur disa çështje të rëndësishme dhe tha se nuk është e vërtetë që nuk ka përparim të drejtësisë në vend.
Pjesë nga intervista
Blendi Fevziu: Ka shumë pretendime, sidomos nga opozita, që reforma në drejtësi është kapur nga Rama dhe është përdorur prej tij, edhe SPAK. A keni ndonjë koment për këtë?
Ambasadorja Yuri Kim: Nuk kam asnjë koment për këtë.
Blendi Fevziu: Dhe çfarë mendoni për rastet e mëdha që SPAK do të ketë në të ardhmen? Keni thënë në deklarata që po hetojnë tri apo katër çështje të mëdha. Çfarë mendoni, do të kenë rezultate konkrete për çështjet e mëdha në të ardhmen?
Ambasadorja Yuri Kim: Besoj që po. Shikoni, qoftë reforma në drejtësi dhe veprimtaria e SPAK dhe të tjerë, qoftë krimet zgjedhore, qoftë sjellja në përgjithësi, askush nuk është mbi ligjin. Koha e pandëshkueshmërisë po i afrohet fundit.
Blendi Fevziu: Të shpresojmë.
Ambasadorja Yuri Kim: Të shohim. Dhe, një e vërtetë tjetër: media, reporterët, ju, duhet të jeni më të guximshëm për të raportuar çfarë po ndodh. Vë re kur çështje të caktuara shkojnë në gjykatë, askush nuk flet për to. Vë re që kur njerëzit…
Blendi Fevziu: Po, është e çuditshme.
Ambasadorja Yuri Kim: Janë të dyshuar, askush nuk flet për ta. Pse, më thoni pse?
Blendi Fevziu: Varet nga çështja. Zakonisht studio është gjithmonë e hapur dhe…
Ambasadorja Yuri Kim: Dëgjoj për telefonatat që iu bëhen shefave të studiove. I dëgjoj këto.
Blendi Fevziu: Për të ndaluar.
Ambasadorja Kim: Ky është problemi, të mosfolurit për çështje të caktuara. Pra ky është problem. Është problem propaganda. Është problem perceptimi.
Blendi Fevziu: Është skandal nëse ka ndodhur.
Ambasadorja Kim: Është problem pushteti. Pandëshkueshmëria duhet të marrë fund. Reporterët, gazetarët kanë një rol për këtë. Sigurisht, rolin më të madh e kanë ligjzbatuesit, por të mos bëjmë sikur.
Blendi Fevziu: Ambasadore, BKH është rrugës por jo e plotë. Pse është kaq e vështirë?
Ambasadorja Yuri Kim: Në fakt po bëjnë shumë përparim aty. Janë 30 e ca hetues që pothuajse kanë përfunduar trajnimin tani. Ka pasur një raund të dytë thirrjesh për më shumë hetues. Kjo do të marrë disa muaj më shumë. FBI jonë është përfshire në trajnim. Pra, është një proces emocionues.
Blendi Fevziu: Në ndihmë të BKH?
Ambasadorja Yuri Kim: Po ofrojnë trajnime në fillim dhe sipas nevojës do të ofrojnë edhe këshilla.
Diskutime rreth kësaj post