Avokati i njohur Ylli Manjani në një postim të gjatë në Facebook ka treguar arsyen pse u prish koalicioni mes Ramës dhe LSI në vitin 2017.
“Qëndrimi pa qëndrim i LSI në 2017, si dhe mos hapja e telefonit që kryetari i asaj kohe i LSI i bëri Ramës, e çoi këtë të fundit të mbyllej me Bashën deri sa ndërtuan “big mac”, e në vijim marrëveshjen fatale të majit 2017”, – shkruan ndër të tjera Manjani.
Postimi i Manjanit:
“Disa fakte si për “dashnorët” ashtu edhe për “sabodatorët” e reformës në drejtësi.
1. Reforma në drejtësi filloi me vendimin më konsensual të të gjithë kohërave, me miratimin e ndryshimeve kushtetuese me 140 vota në parlament. Ky vendim u mor pas dakordësisë PS-PD-LSI.
2. PS dhe LSI, asokohe në koalicion, vijuan me miratimin e ligjeve të drejtësisë pa konsensusin e PD. Ato ligje në fakt janë shtrati i kaosit që erdhi në sistemin e drejtësisë, ndaj PS dhe LSI duhet të mbajnë përgjegjësi.
3. Reforma në drejtësi nuk u bë për të reformuar sistemin, por për të bërë politikë me të. Kjo spjegon sjelljen politike që merr 90% të kohës mediatike me temën “kush e do e kush nuk e do reformën”. Pa dyshim spekulim fund e krye, ndërkohë që drejtësia si pushtet është kafshuar keq dhe vështirë të ngrihet shpejt aty ku Republika ka nevojë.
4. LSI dhe PD nuk kanë se si ta zhbëjnë reformën e miratuar nga po ata vetë me konsensusin kushtetues. Në fakt disa ndërhyrje që i pozicionojnë më mirë institucionet e reja duhen. Fjala vjen, SPAK nuk mund të ketë një fushë veprimi kaq të gjerë sepse kolapset, siç po ndodh. Ai duhet të fokusohet vetëm tek korrupsioni i ministrave e lart, si dhe tek krimi i organizuar. Se për këtë punë u krijua dhe me emrin “i posaçëm”. U krijua për tu marrë me të posaçmit e jo rutinën…
5. Debati për “bërje e zhbërjen e reformës” vjen në një çast kur rilindja ka marrë një nismë ligjore për ndryshime në ligjet e reformës. Ndryshime që askush nuk i di se ç’janë e për çfarë shërbejnë. Krejt pa konsensus. Pra vetë ka vendosur zhbërjen, ndërkohë që akuzon të tjerët për zhbërje. Fushatë hesapi.
Tani edhe ca të vërteta për koalicionin PS-LSI.
1. PS nuk ka shprehur asnjëherë dëshirë për të prishur koalicionin me LSI. Përkundrazi, deri në sekondat e fundit të lejueshme, Rama dhe Veliaj u përpoqën të ndërtonin një koalicion të ri me LSI në vitin 2017. E mbani mend darkën te markata e peshkut?!
Të thuash sot se “ishim gati të prishnim koalicionin me LSI për reformën” është e pavërtetë në kufinjtë e mashtrimit.
2. LSI ka patur një ide për të dalë mga koalicioni, por që nuk e zhvilloi me tej. Zgjodhi rrugën e komportimin dhe të mbylljes së kontratës së koalicionit, sigurisht dhe me benefitin që mori postin e Presidentit. Personalisht kam menduar dhe ende sot e mendoj se ishte rruga e gabuar, por ky është fakti.
Ky fakt shpjegon edhe qëndrimin pa qëndrim të LSI në prag të zgjedhjeve të 2017.
3. Qëndrimi pa qëndrim i LSI në 2017, si dhe mos hapja e telefonit që kryetari i asaj kohe i LSI i bëri Ramës, e çoi këtë të fundit të mbyllej me Bashën deri sa ndërtuan “big mac”, e në vijim marrëveshjen fatale të majit 2017.
E kuptoj që është fushatë, por disa fakte nuk mund të zbëhen as nga parlamenti monist.” – shkruan Manjani.
Diskutime rreth kësaj post