Partia Demokratike po i nënshtrohet një procesi të gjatë përzgjedhjeje dhe vlerësimi sa i takon përpilimit të listës përfundimtare të kandidatëve për deputetë. Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj si dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit, deklaroi dje gjatë një interviste televizive, se kandidaturat e PD do të verifikohen brenda datës 15 shtator.
Ai tha se janë 600 kandidatura nga Partia Demokratike dhe tha se PD ka kërkuar ndihmën e partnerëve gjermanë.
“Janë 600 kandidatura nga PD dhe zgjedhja do të jetë normalisht në mënyrë sa më të mirë. Përzgjedhja e kandidatëve do të përfundojë deri më 15 shtator. Ne kemi kërkuar ndihmën e partnerëve tanë gjermanë. Këta kandidatë janë më të mirë sesa ata që kanë qenë”, – u shpreh Mustafaj.
Sa i takon mundësisë që ish-kryeministri Sali Berisha të jetë në listë, ai tha se ish kreu i qeverisë ka bërë denoncime të guximshme për drogën dhe fenomene të tjera të pushtetit të Edi Ramës dhe ndaj ka kontribut në PD.
“Unë jam një nga kritikët e Sali Berishës që më 2007. Por, në kohën që ai është në opozitë, Berisha ka dhënë kontribut të çmuar në opozitarizëm. Berisha denoncoi drogën, denoncoi një sërë skandalesh. Në këtë kuptim, Sali Berisha ka kontribut në Partinë Demokratike. Në cilësinë e Berishës si deputet, ai mund të themi ka kontribut”, – tha ai.
Më tej ai foli edhe për Jozefina Topallin. Mustafaj tha se ajo ka pasur kritika për Partinë Demokratike, por është e lidhur me të, dhe tha se mund të jetë propozuar në Shkodër. Por në një listë paraprake që është zbardhur nga mediat, rezulton se Topalli është e propozuar disa herë në Shkodër. Mustafaj u shpreh se është pozitive nëse e reja bashkëvepron me eksperiencën.
“Jozefina Topalli përshembull ka pasur kritika për PD, por është e lidhur me Partinë Demokratike. Ajo mund të jetë propozuar në Shkodër. Kur bashkëvepron eksperienca me të renë, besoj se bëhet diçka e mirë. Rama ka bashkëpunëtorë figura që janë të reja, por janë një lloj klani le ta themi. Shoqëria ka eksperiencën për të gjykuar drejt programin tonë dhe kandidaturat”, – deklaroi Mustafaj.
Diskutime rreth kësaj post