Gani Dizdari është anëtari i fundit i Gjykatës Kushtetuese që do të përballet me vetingun-një proces që ka rezultuar deri më tani fatal për katër kolegë të tij dhe është kapërcyer nga vetëm dy të tjerë.
Seanca dëgjimore me Dizdarin është planifikuar të zhvillohet mesditën e së enjtes, ndërkohë që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit përfaqësohet në këtë çështje nga Pamela Qirko, Roland Ilia dhe Olsi Komiçi.
Dizdari është diplomuar për Drejtësi në vitin 1972 dhe përgjatë katër dekadash ka ushtruar detyrën në të gjitha rolet e sistemit të drejtësisë, si prokuror, avokat dhe gjyqtar. Gjatë regjimit komunist, Dizdari ka punuar si prokuror në Tropojë dhe prokuror i Departamentit Gjyqësor në Prokurorinë e Përgjithshme. Në vitin 1998, ai ka qenë prokuror pranë Gjykatës së Kasacionit, ndërsa në vitet 1995-1999 ka ushtruar detyrën e zv.Prokurorit të Përgjithshëm.
Në vitet 1999-2006, Dizdari ka punuar si avokat dhe në vitin 2006 është rikthyer në sistemin e drejtësisë si anëtar i Gjykatës së Lartë. Prej prillit 2013, Dizdari kryen detyrën si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Gani Dizdari nga viti 2006 deri në fund të vitit 2017.
Diskutime rreth kësaj post