Deputetja, Rudina Hajdari ka vizituar naftëtarët e Ballshit, të cilët prej disa ditësh kanë hyrë në grevë urie, për shkak se nuk u janë paguar rrogat e disa muajve punë.
“Kërkesa e tyre do të konsiderohej ulëritëse në çdo vend normal”, shkruan Hajdari në ‘Facebook’
Postimi i plotë:
Sot pata një bisedë të sinqertë me Gramozin, Remziun, Durimin, Sokolin, Jonuzin, Erlindin, Selmanin, Ervinin. Këta janë naftëtarët e Ballshit të cilët prej ditësh kanë hyrë në grevë urie. Kërkesa e tyre do të konsiderohej ulëritëse në çdo vend normal, pasi kërkojnë pagat e punës që kanë bërë.
Më shumë se një vit i jetës së tyre nuk u është paguar. Më shumë se një vit mes stresit, vështirësisë, vështrimeve të fëmijëve e grave të tyre, pamundësisë për t’u blerë ushqim e veshje, lapsa ,fletore a libra e për të mos folur për lodra e dhurata, të cilat sot në Ballsh quhen luks.
Nga përllogaritjet e ekspertëve, Shqipëria ka rezerva nafte rreth 400 milionë ton.
Banka Botërore thotë se vetëm nga pasuria natyrore çdo shqiptar do duhet të kishte 15 mijë usd. Pra, do e niste jetën me 15 mijë usd nëse nafta, kromi, metalet e tjera, uji, etj do t’i shërbenin mirëqënies së tyre.
Realiteti ama flet ndryshe.
Teksa vetëm pak njerëz në Shqipëri ia kanë parë hajrin burimeve natyrore, shqiptarët u kanë parë veç sherrin.
Teksa pak njerëz notojnë në luksin e krijuar me lekët e naftës, naftëtarët nuk paguhen.
U dhashë fjalën se do flas dhe mundohem për ta me aq fuqi sa kam sot, si edhe do luftoj gjithë jetën që pasuria kombëtare të jetë realisht e kombit dhe jo e një grushti matrapazësh me pushtet.
I bëj thirrje qeverisë dhe firmës private t’u mundësojë urgjentisht këtyre njerëzve pagat.
Urgjentisht!
Diskutime rreth kësaj post