Deputeti Lefter Maliqi i qëndron idesë se Policia është katandisur si mos më keq, dhe nuk iu heq asnjë pikë deklaratave që bëri në Kuvend gjatë interpelancës për ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj.
I ftuar në Faxnews, Maliqi tha përsëri se vetëm Sokol Olldashi ka qenë ministri që ka luftuar me seriozitet bandat dhe krimin e organizuar, duke çuar në burg shumë prej kriminelëve.
“Interpelanca ishte për situatën e rëndë kriminale në të cilën ndodhet vendi, që lidhen dhe me informacionet që unë kam si deputet i Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Lidhur me automjetin që ju më pyetët, shikojmë propagandën, ku policia e shtetit është katandisur te një police bionde me syze të errëta.
Mjeti Lincoln që përdori kryeministri nuk është e gardës, mediat thonë që është e vëllait të tij, prandaj edhe unë e pyeta zotin Lleshaj. Ne përmes ligjit ANTIMAFIA, prokuroria e Krimeve të Rënda që në momentin që i merr nën hetim iu çojnë letër bankave, për pasuritë e këtyre personave. Aksioni do përfundojë te sekuestrimi i orëve dhe rrobave”, – u shpreh Maliqi.
Ndërkohë që deputeti foli dhe për Reformën në Drejtësi, që sipas tij është goditur rëndë nga Operacioni Forca e Ligjit, ku SPAK është mbytur me dosje të panevojshme, dhe ku nuk i lihet mundësi për të luftuar krimin në nivele të larta shtetërore.
Lidhur me opozitën, Maliqi tha se ajo duhet të jetë frymëzuese, në mënyrë që qytetarët të shtyhen drejt revoltës dhe qëndresës, dhe të mos dorëzohen përballë presionit qeveritar.
“Shqiptarët me zor pritën Reformën në Drejtësi, dhe po thonin SPAK, SPAK, nuk po e lënë që të marrë frymë për shkak se do të merret me OFL-në. Po e mbysin SPAK-un me këto informacione. Policët i ke nëpër rrugë duke vendosur gjoba.
E pyeta ministrin se ku e kishte gjetur gazin lotsjellës përpara tre muajsh dhe më tha se e kishte nga qeveria e Sali Berishës, ndërkohë që sot u detyrua që të pranojë se e kishte marrë nga Kosova, edhe pse tha se nuk e kishte përdorur. Unë ia thashë ministrit në Kuvend që mjaftonte vrasja në mes të Rrëshenit, që ai të jepte dorëheqjen.
Unë kërkoj një opozitë tjetër, njerëzit nuk po ngrihen për shkak se nuk ka një revoltë”, – tha Maliqi.
Diskutime rreth kësaj post