Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli ka zbuluar se ku do të kandidojë në zgjedhjet e 25 prillit. Në një intervistë për “A2”, Topalli bëri me dije se do të kandidojë në qarkun e Tiranës dhe Shkodrës.
Ndër të tjera ajo u shpreh se sipas Kodit Zgjedhor, kryetarët e partive kanë të drejtën të kandidojnë deri në 4 qarqe të vendit, gjë e cila ka bërë që Topalli të zgjedh të kandidojë në këto dy qarqe.
“Ka një nen në Kodin Zgjedhor që i jep mundësi kryetarëve të partive të kandidojnë në katër qarqe. E sigurt që do të jem në Tiranë dhe në Shkodër. Nuk kam caktuar qarqe të tjera, do jem e përqendruar kryesisht në Tiranë”, u shpreh Topalli.
E pyetur nëse do të ketë një koalicion të mundshëm me opozitën ajo u shpreh se është e gatshme të bëjë koalicion me opozitën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por vetëm me një kusht që kreu i PD, Lulzim Basha nuk duhet të jetë kandidati i opozitës për kryeministër. Topalli theksoi se nuk ka ende një emër për kandidatin e saj për kryeministër.
“Jam e gatshme të bashkoj votat me opozitën me një kusht, të mos ketë të korruptuar si kryeministër. Domethënë që Lulzim Basha nuk do të jetë kryeministër. Por kam një parim për kandidatin, të jetë i pakorruptuar dhe të dojë vendin. Duket e thjeshtë, por tejet e rëndësishme”, tha Topalli.
Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim u shpreh se Partia Socialiste dhe ajo Demokratike janë bërë bashkë. Topalli ka dhënë edhe shembuj konkretë kur të dyja partitë kanë bërë pakte. Ajo vijoi më tej duke thënë se të dyja këto parti janë duke bashkëpunuar bashkë për të mos lejuar sipas saj daljen e partive të tjera në skenën politike.
“Pozitë dhe opozitë janë bashkë. Mbase shqiptarët nuk i dinë ca gjëra që ne i dimë, por e kanë kuptuar që ata janë bashkë. Kur disa qytetarë u ngritën kundër taksës së kombit, kryetari i opozitës e mbylli shpejt e shpejt. Kishte rastin për të fituar betejën, por e zëvendësoi me interesin e familjes së tij. I biri i atij që do të ndërtonte kullat është në radhën e kandidatëve të opozitës. Opozita premtoi lista të hapura, por nuk bëri asgjë të tillë. Sepse ishin bashkë dhe po të shohësh Kodin Zgjedhor kanë bërë gjithçka që të mos lejojnë partitë e reja, që të “mbretërojnë” në skenën politike të paktën për 15 vite. Ata janë bashkë, kanë pazare”, tha ajo.
Topalli flet për LSI
Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli ka folur edhe sa i përket forcës politike LSI, duke thënë se kjo nuk ka asnjë lidhje me këtë parti. Ajo bëri thirrje për bashkim për të bërë të mundur sipas saj ndryshimin në vend.
“Nuk më lidh asgjë me LSI. Të gjithë të tjerët, forcat e reja politike kanë lindur nga politikat e përçarjes të së djathtës. Prandaj është shumë e nevojshme të bashkohemi bashkë, për të pasur një pikë kthese. Në kohë krizash dhe kjo është kohë krizash, ka edhe mundësi. PS nuk do t’ia kishte dalë kurrë që të merrte mandatin e dytë dhe kam frikë se do të marrë edhe të tretin, nëse opozita nuk do të blihej”, bëri me dije kryetarja.
Sakaq, Topalli vijoi më tej ku theksoi se synimi i Lëvizjes për Ndryshim, partisë së re të ngritur prej saj, është që të largojë Edi Ramën nga qeverisja, por edhe t’u japë shqiptarëve mundësinë për të larguar 3 kryetarët, siç i quajti ajo kryeministrin, presidentin dhe kreun e opozitës.
“Nëse do të dimë të kapim momentin e 25 prillit, mund të sjellim ndryshimin. Duke hyrë brenda, duke i kushtëzuar dhe duke bërë të mundur që të bien nga pushteti dhe arroganca. Shqiptarët kanë mundësi që më 25 prill të hedhin votën kundër 3 kryetarëve. Votë dhe protestë. Nëse të rinjtë rrinë në shtëpi, votojnë për 3 kryetarët, nëse dalin e votojnë për Lëvizjen për Ndryshim, faktikisht dalin e votojnë kundër 3 kryetarëve”, tha Topalli.
Diskutime rreth kësaj post