Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli dje me anë të një statusi në rrjetin e saj Facebook akuzoi krerët e tre forcave më të mëdha politike si njerëz që menaxhojnë vetëm vila luksoze dhe PPP.
Ish-kryeparlamentarja u shpreh se problemet më të mëdha për vendin përveçse skandalit dhe korrupsionit janë edhe drejtuesit.
“Të dalësh me ofertë ose Edi Ramën ose Lulzim Bashën me Monika Kryemadhin dhe Ilir Metën bashkë është gjëja më e pamerituar për shqiptarët pas 3 dekadash, (ku emrat e mësipërm kanë patur çdo pozicion qeveritar). Një vend që ka 40% varfërinë ekstreme dhe ka udhëheqës politikë njerëz që menaxhojnë PPP dhe vila luksoze edhe në vitin elektoral është një rast guinness. Në çdo vend të botës problemi është qeveria. Në rastin tonë përsëri bëjmë përjashtim. Tek ne përveç qeverisë dhe skandaleve e korrupsionit pa kufi të saj është problem vetë drejtuesi i opozitës”, tha Topalli.
Ajo e akuzoi kreun e Partisë Demokratike si njeriu që shkatërroi opozitën dhe i përgjysmoi numrat e deputetëve. Sipas Topallit është rast i çuditshëm politik sesi sa më shumë rriten pakënaqësitë ndaj kryeministrit Edi Rama, rriten po ashtu dhe për Bashën. Ajo tha se në gjithë këtë politikë dëshpëruese, qytetarët duhet të votojnë një parti, e cila është kundër kryetarëve të korruptuar duke iu referuar kështu Lulzim Bashës, Edi Ramës dhe Ilir Metës.
“Njeriu që shkatërroi opozitën dhe e përgjysmoi në numra në mandatin e parë, që i dhuroi qeverisë të gjitha mandatet e deputetëve opozitarë; që i fali të gjitha këshillat bashkiakë e bashkë me ta të gjitha bashkitë në mandatin e dyte; ai, që për 8 vite nuk rreshti duke thënë se nuk ka zgjedhje me Edi Ramën e që tani po hyn si pa të keq në zgjedhje pikërisht me ER, është rasti politik më i çuditshëm në botë. Sa më shumë rritet pakënaqësia ndaj ER aq më shume bie edhe Lulzim Basha.
Në këtë kontekst politik dëshpërues, shqiptarët kane mundësi të votojnë kundra Edi Ramës, kundra Lulzim Bashës, kundra Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës. Ata kanë mundësi të votojnë për Lëvizjen për Ndryshim që është kundra 3 kryetarëve të korruptuar. Ata kanë mundësi të zëvendësojnë politikën cinike me politikën e shpresës. Vota e tyre do ishte votë proteste, votë inteligjente dhe votë shprese”, u shpreh ish-parlamentarja.
Diskutime rreth kësaj post