Tre urdhrat ekzekutivë të kreut të Shtëpisë së Bardhë kanë të bëjnë me migracionin rajonal, emigracionin e ligjshëm dhe ribashkimin e familjeve. Presidenti i ri amerikan Joe Biden ka vendosur që të zhbëjë shumë prej politikave të paraardhësit të tij Donald Trump.
Ky urdhër ekzekutiv për bashkimin familjar do të identifikojë të gjithë fëmijët e mitur të ndarë nga prindërit e tyre ose kujdestarët ligjorë në kufi, nën politikën e “tolerancës zero” të Donald Trumpit për ndjekjen penale të migrantëve për “hyrje të paligjshme”.
Kjo nismë e presidentit Trump u kritikua fortë nga demokratët asokohe, ku sipas medieve amerikane rezultoi në qindra familje të ndara dhe fëmijë të burgosur në 2018-ën.
Si pjesë e procesit, Biden, njoftojnë mediet amerikane, kërkon rishikim të rregullave tejet të forta të Trumpit për emigrantët e varfër që mbërrijnë në SHBA. Rishikimi i Protokolleve të Mbrojtjes së Migrantëve është gjithashtu pjesë e kësaj procedure.
Përpjekjet e Bidenit do të përballen me sfida logjistike dhe kundërshtim nga republikanët, thonë ekspertët e politikave të emigracionit për mediet amerikane.
Diskutime rreth kësaj post