Pas transmetimit një ditë më parë, të skandalit në lidhje me humbjen e dosjes së një qytetari në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, emisioni ‘BOOM’ publikoi një tjetër rast të ngjashëm. Për shkak të humbjes prej një viti të dosjes së një tjetër qytetareje, çështja e saj nuk transferohej në Gjykatën Administrative të Apelit. Për të zëvendësuar dosjen e humbur, edhe këtë rradhë sekretaret kanë bashkëpunuar me avokaten e saj, e cila ka ribërë dosjen nga e para, madje duke ja mbajtur të fshehtë këtë edhe klientes së saj.
Emisioni ‘BOOM’ ka sjellë prova të reja nga zhdukja e një tjetër dosjeje në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Prej një viti qytetarja kërkon arsyen e mostransferimit të dosjes së saj në Gjykatën Administrative të Apelit.
Në kamerat e ‘BOOM’ punonjëset shfaqen duke thirrur njëra-tjetrën të gjendura ngushtë për t`u përgjigjur.
Pas interesimit në Gjykatën Administrative të Apelit zonja mëson se për dosjen e saj është djegur afati i transferimit.
Ligjërisht sipas sekretares së kësaj gjykate, dosja duhet të kishte shkuar në këtë gjykatë që në qershor të vitit të kaluar.
E shqetësuar qytetarja kthehet në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, por për të mbuluar vonesën, Kryesekretarja e këtij institucioni i thotë se transferimi i dosjeve nuk ka afat.
Pas gjithë përpjekjeve, qytetarja telefonon avokaten e saj e cila pranon se dosja i ka humbur dhe është ajo që e ka ribërë nga e para, duke ja dorëzuar sekretareve të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
Dy javë më pas dosja e qytetares transferohet në Gjykatën Administrative të Apelit, por ende nuk dihet nëse gjyqtari i përzgjedhur nga shorti do të pranojë gjykimin e saj pas transferimit një vit me vonesë dhe nëse dosja ka brenda gjithçka që gjendej në dosjen e humbur.
Diskutime rreth kësaj post