Mbrëmjen e së mërkurës zona e Cërrikut u godit nga një tërmet me magnitudë 4.5 Rihter. Sipas përgjegjësit për monitorimin e rrjetit sizmologjik në Institutin e Gjeoshkencës, Ujërave dhe Mjedisit, Edmond Dushi, tërmeti i mbrëmshëm ishte tërmet i veçantë që lidhet me zonën diapirike të Dumresë.
“Kjo është një zonë tektonike e njohur me historik të njohur tërmetesh siç ishte ai i majit të vitit 2014, me magnitudë 5.1 shkalla Rihter. Ky tërmet nuk është pasgoditje e tërmetit të Nëntorit në veriperëndim të Durrësit”, – është shprehur Dushi për GSh.
I pyetur për rrezikshmërinë e tij, përfaqësuesi i IGJEUM, tha se me fjalë të thjeshta tërmeti i Cërrikut ishte mbi 7 ballë, por nuk konsiderohet tërmet i fortë.
Në krahasim me tërmetin e 21 shtatorit 2019, ky tërmet konsiderohet më i dobët pasi magnituda e tërmetit të vjetshëm ishte me magnitudë lokale 5.8 dhe magnitudë momenti 5.6.
“Kjo do të shënonte serinë sizmike më të spikatur këto 30 vitet e fundit, që ka prekur territorin e vendit tonë. Aktiviteti vazhdoi intensiv deri në fillim të muajit Tetor 2019, duke shënuar 77 tërmete me magnitudë më të madhe se 2.0. Rajoni ishte prekur edhe më parë nga tërmete të moderuar të afërt për nga energjia me atë të 21 Shtatorit, që nga viti 2008 e në vazhdim”, – tha Dushi.
Sipas të dhënave zyrtare, disa zona si ato përgjatë bregdetit Jonian e Adriatik kanë edhe vlera më të larta të rrezikut sizmik, kryesisht zona veriperëndimore e vendit dallohet në veçanti si Durrësi, Vlora, Lezha e Shkodra.
Diskutime rreth kësaj post