“Më vjen keq për Xhakën, për cilësitë që ka do të na jepte një dorë shumë të mirë, por ai e ka refuzuar ftesën. Unë e kam ftuar disa herë, edhe vitin e kaluar edhe së fundmi, por ai nuk është përgjigjur pozitivisht, kështu që është e kotë që të vazhdoj të shpresoj dhe t’i dërgoj ftesa për faktin që ai nuk po vjen. Nuk na e ka thënë pse nuk vjen, ndoshta ka vendosur të fokusohet te klubi. Më vjen keq, pasi është një lojtar me eksperiencë, por faktet janë këto”.-tha ai.
Ishte ky qëndrimi i trajnerit Edoardo Reja në lidhje me çështjen Xhaka. I pyetur nga gazetarët në konferencën e shtypit, 75-vjeçari dha versionin e tij që i përmbledhur në një fjali, sipas tij, mesfushori shqiptar ka refuzuar të veshë fanellën kuqezi. Në këtë situatë, RTSH Sport kërkoi edhe versionin e lojtarit të cilin e pyeti në lidhje me deklaratën e trajnerit të Kombëtares Shqiptare.
“Taulant Xhaka kurrë nuk e ka refuzuar kombëtaren! i kam thënë Bulkut që nuk jam akoma 100% në formën time dhe më mirë ishte që të merrte një lojtar qe eshtë 100% në formë”, tha Xhaka
Qëndrim i prerë nga ana e mesfushorit të Baselit që përgënjeshtron trajnerin e Kombëtares, sipas të cilit, Xhaka nuk ka dhënë asnjë arsye për mungesën edhe pse lojtari vetë rithekson në vijim të bisedës me redaksinë e RTSH Sport.
“Këto janë gënjeshtra dhe nuk e di pse. Nuk është aspak e vertetë që unë kam refuzuar Kombëtaren, por isha 1 vit i lënduar dhe nuk isha në 100% në formë dhe nuk dua të rrezikoj prapë që të lëndohem. Në këtë mënyrë, i kam dhënë shansin një lojtari të ri që të grumbullohet”, përfundoi ai.
Diskutime rreth kësaj post