Tërmeti i fortë i mëngjesit të së martës nuk do të jetë i lehtë për t’u harruar nga shqiptarët. 35 persona kanë mbetur të vdekur deri tani, ndërsa kanë pësuar lëndime 657 të tjerë. Qendrat më të goditura kanë qenë Durrësi dhe Thumana. Ndërkohë që prej mëngjesit të djeshëm vijon kërkimi i të mbijetuarve dhe personave të zhdukur nën rrënoja e godinave të shembura në Durrës e Thumanë.
Avokati Spartak Ngjela shprehet se pasi ky rrezik natyror të largohet do fillojë një bashkim i ri shpirtëror midis shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë, dhe kudo në diasporë.
Ngjela shkruan:
Tragjedia, si kërcënim me vdekjen, po i bashkon shqiptarët kudo ku janë.
Ky, në fakt, ka qenë historikisht karakteri potencial i shqiptarit.
Rreziku natyror i bashkoi me humanizëm dhe patriotizëm të gjithë shqiptarët kudo ku janë. Kurse brezi i ri tregoi shkëlqim patriotik.
Jam i bindur që pas largimit të këtij rrezikut, do fillojë një bashkim i ri shpirtëror midis shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë, dhe kudo në diasporë. Kudo.
Dhe nuk duhet të harrojmë: rreziku i këtyre ditëve, do të largohet shpejt, por ndërkohë ai, njëlloj si në vitin 1999, i dha shtysë që të rishfaqej hapur sërish një vlerë e lartë shpirtërore, humanizmi dhe patriotizmi, te të gjithë shqiptarët – kudo ku janë.
Bashkim, humanizëm dhe kokën lart…
Diskutime rreth kësaj post