Avokati Spartak Ngjela ka bërë një reagim të ashpër dje, ku akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kryeministrin aktual Edi Rama. Akuzat e Ngjelës janë në lidhje me ndërtimet që janë në vend, duke theksuar se shqiptarët janë vjedhur.
Përmes një postimi në Facebook, Ngjela shkruan se njerëzit e prekur nga tërmeti nuk janë siguruar siç duhet, ndërsa shton se qeveria aktuale nuk deklaron se ka fond rezervë për emergjencat.
“E dini se çfarë kohe kemi si rezultat tragjik: kohën banditeske të Sali Berishës me ligjin e legalizimit, grabitjen e tokave, dhe ndërtimet pa leje të të gjitha qeverive në afër në 30 vjet. Me injorancën e Edi Ramës që pllakosi me klientelë korruptive Tiranën, gjithë po me ndërtime jashtë rendit urban, por edhe me dhjetëra e dhjetëra kryetarë komunash e bashkish që në 25 vjet rresht kanë shitur lejet e ndërtimit. Të gjitha jashtë çdo studimi. Po paratë ku janë? Njerëzit po vdesin nga të ftohtit, kurse qeveria aktuale nuk ka kurajë që të deklarojë se sa e ka fondit rezervë për emergjencat. Asgjë”, shkruan në Facebook avokati Spartak Ngjela.
Ky i fundit shton më tej se populli shqiptar është i grabitur, dhe thekson se kryeministri i vendit nuk di të menaxhojë situatën. Duke shtuar akuzat, Spartak Ngjela shkruan se qeveria shqiptare nuk ka qenë asnjëherë përgjegjëse për popullin.
“Shqiptarët sot janë një popull i grabitur që tani është trembur nga ankthi i gjendjes tragjike dhe një kryeministër që nuk di të bëjë asgjë. Ky i sotmi tregoi se është një shtet që mbeti i diskredituar nga ekipet ndërkombëtare që erdhën për ndihmë, të cilët treguan që janë të përgatitur për gjendjet e emergjencës. Se janë të përgjegjshëm ndaj shoqërive të tyre, prandaj. Po ky yni? Ky e tregoi që është një shtet i kalbur dhe me sundues që nuk janë e as kanë qenë ndonjëherë përgjegjës për popullin e tyre”, u shpreh në Facebook Ngjela.
Por nuk mjaftoi me aq. Ngjela shkruan më tej se për tre dekada Shqipëria është vjedhur, ndërsa shtron pyetjen se kush do ta drejtojë këtë krizë që ka mbytur vendin.
“Gjithçka është vjedhur, në tre dekada rresht. Po tani? Tani ky shtet duhet të dorëzohet. Kriza do të thellohet. Por njerëzit e ditur dhe të aftë janë përjashtuar nga banditizmi korruptiv. Kush do ta drejtojë këtë emergjencë? Qeveria aktuale nuk di të bëje asgjë. Atëherë”, përfundoi avokati Spartak Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post