Ish-kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, komentoi ditën e djeshme situatën politike në vend. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai u shpreh se opozita është e përçarë pasi sipas tij PD nuk i do ndryshimet kushtetuese ndërsa presidentit Ilir Meta dhe kryetares së LSI Monika Kryemadhi i interesojnë.
“Vetëm po të kaloni mbi trupin e Lul Bashës, do mund ta ndryshoni Kushtetutën. Kjo është barcaleta që këto kohë qesh çdo kush në tavolina, sa herë që Zoti Luli kërcënon që diçka nuk do ndodh. Po u betua Luli, gjithmonë ndodh e kundërta. Kushtetuta ka 7 ditë që është ndryshuar dhe opozita nuk ka nxjerrë dot as 7 veta në protesta. Por a e dini pse ajo nuk doli në shesh për të kundërshtuar:Sepse opozita është e përçarë nga kjo kauzë pasi LSI përfiton 40 emra në listën unike prej 140 kandidatë të opozitës; Sepse Partia Demokratike nuk ka moral të kundërshtojë ndryshimet kushtetuese të njëanshme pasi ajo i ndryshoi me Berishën sistemin zgjedhor për 24 orë në 2008 duke detyruar Ilir Metën dhe 20 deputetë të opozitës së atëhershme të bllokojnë parlamentin me grevë urie; Sepse në thelb Monika dhe Iliri janë dakord me ndryshimit kushtetuese sepse do përfitojnë dy fishin e PD”, – tha Spahiu.
Por ish-kreu i Aleancës Kuq e Zi ka paralajmëruar krisje mes opozitës kur të hartohet lista me emrat e kandidatëve, duke theksuar se PD mund të lërë shumë emra jashtë për të futur mbështetës të LSI.
“Në fund do i plasi “Gërdeci” kur: Komisioni Nishani, Rruli, Mustafaj do u duhet që gjysmën e listës ta qethin për aleatët e koalicionit; Kur 1940 emra të propozuar nga baza ta shohin veten në koshin e plehrave të SHQUP sepse do u duhet t’u ndërrohen emrat me gjimnazistët që vendos Monika në lista. Duroni dhe pak muaj, dhe zhurma e shpërthimit të listave do jetë më shurdhuese se Gërdeci apo Bejruti. Prandaj, askush nuk mendon të protestojë se jo vetëm që nuk u shkon askush prapa, por mund të ndodhë të shqyhen për listat që tek “Ura e Lanës”, pa mbërritur turma tek Kryeministria”, – u shpreh Spahiu.
Diskutime rreth kësaj post