Zyrtarizimi i hetimit për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ndër të tjera vuri hetuesit në kërkim të Audit të famshëm që ishte blerë dhe përdorur nga vëllezërit Habilaj, të cilët tashmë kërkohen nga drejtësia italiane për trafik ndërkombëtar droge.
Verifikimet e para treguan se targa tashmë hit AA003GB, me të cilën ishte shitur kjo makinë, jo vetëm nuk ishte më në qarkullim, por ishte çregjistruar nga Drejtoria e Transportit Rrugor. Makina konsiderohet provë e rëndësishme për hetimin dhe si e tillë duhet të sekuestrohet për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Po çfarë ndodhi me Audin e Saimir Tahirit?
Sipas të dhënave të siguruar nga “Mapo”, rezulton se kjo makinë është ende në qarkullim, por me një targë tjetër. Makina nuk ka ndërruar pronësinë, pasi dokumentet tregojnë se “Audi” është ende në pronësi të Artan Habilajt, vëllai i madh i Habilajve, i cili gjithashtu është në hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ndryshimi i targës nga AA003GB në AA900NF është bërë më 2 prill të vitit 2015, kohë në të cilën ish-shefi i antidrogës Dritan Zagani nuk ishte bërë ende personazh i njohur për publikun, por ndërkohë ai ishte në ndjekje të Habilajve. Madje vetëm një muaj më pas Zagani u arrestua nga SHKB, pasi dyshohet se kishte shitur informacione tek agjentë italianë të antidrogës.
Duket se Habilajt i kanë paraprirë një situate të tillë, më të cilën u përballën disa muaj më von, kur ish-shefi i antidrogës së Fierit dhe Vlorës filloi të fliste publikisht për vëllezërit Habilaj dhe lidhjet e tyre me Saimir Tahirin.
Por cilat janë provat që disponon Mapo mbi ndryshimin e targës së automjetit tip “Audi” , por jo të pronësisë së saj, e cila vijon të jetë ende në pronësi të Artan Habilajt.
Audi tashmë me targ AA900NF, është ngjyrë gri, model A8, prodhim i vitit 2008 dhe me tre numrat e fundit të shasisë 250. “Çuditërisht” këti të dhëna janë të njëjta me ato që përshkruhen në kontratën e shitjes mes Saimir Tahirit dhe Artan Habilajt, e cila mban datën 5 nëntor 2013, pak kohë pasi Tahiri kishte marrë detyrën e Ministrit të Brendshëm. Në këtë kontratë shitje, përveç çmimit që është dukshëm më i ulët se ai i blerjes (u ble 21 mijë euro u shit 980 mijë lekë), specifikohen edhe të dhënat e automjetit. Kontrata thotë se mjeti është Audi A8, me ngjyrë gri, vit prodhimi 2008 dhe me tre numrat e fundit të shasisë 250.
Pra dokumentet tregojnë se audi i famshëm i Tahirit, i shitur në 2013, i përdorur nga Habilajt dhe Tahirit pas shitjes, tashmë nuk është më me targën AA003GB, por me targën AA900NF dhe vijon të jetë ende në qarkullim. Kjo pasi vetëm më datë 1 qershor të këtij viti ka prerë një siguracion ndërkombëtar që tregon se ky automjet do të udhëtonte jashtë vendit.
Diskutime rreth kësaj post