Afrimi i zgjedhjeve të 25 prillit, por dhe gropa e sondazheve kanë shtuar përplasjet mes PD dhe LSI. Fillimisht PD la jashtë çeljes së fushatës Monika Kryemadhin, ndërsa kjo e fundit i çoi një mesazh Bashës ku i kujtoi atij marrëveshjen e bashkëqeverisjes dhe djegien e mandateve.
Gjatë fundjavës Kryemadhi ka folur sërish për aleancën me Bashën, duke ia bërë të ditur atij se LSI firmosi marrëveshjen paszgjedhore jo se ka nevojë për PD, por për të mirën e qytetarëve. Kryemadhi tha se, LSI nuk ka nevojë as për Rilindjen sepse si parti e fortë ia dalin vetëm. Ajo theksoi se LSI ka mbajtur dhe do vazhdojë të mbajë përgjegjësitë që ka ndaj votuesve të saj dhe ndaj të gjithë qytetarëve.
Sipas Kryemadhit, synimi i vetëm i LSI është të punojë për një të ardhme më të mirë të qytetarëve, që PS nuk ua dha dot në këto vite qeverisje.
“Sot unë dua të jap një mesazh. Ne si LSI jemi parti politike që është e majtë, e kemi bërë një koalicion parazgjedhor me PD jo se kemi nevojë për PD, nuk kemi nevojë as për rilindasit e Ramës. Por ne e duam vendin tonë e duke e dashur ne marrim përgjegjësi shumë më të mëdha që kanë të bëjnë jo vetëm me ne, por me të ardhmen e fëmijës që do lindi pas dy muajve, të atyre fëmijëve që sot duan të ikin në kopshte, por familjarët s’kanë t’i paguajnë e të ardhmen e qindra mijëra fëmijëve të tjerë që do lindin në të ardhmen”, – u shpreh ajo.
Ndërsa kujtojmë këtu se edhe në ditën që nënshkroi marrëveshjen me Bashën, Kryemadhi ka përmendur koalicionet dhe ka theksuar se kjo është një marrëveshje paszgjedhore, për të treguar se LSI ia del me forcat e saj në garën e 25 prillit.
“Në 2009 ka qenë koalicion parazgjedhor dhe jo paszgjedhor. Janë dy gjëra të ndryshme. Mos harroni që nga djegia e mandateve, që nga bojkotimi i zgjedhjeve lokale, që nga protestat e përbashkëta, janë të gjitha njëra pas tjetrës një unifikim politik e social. Sigurisht që koalicioni do të vlejë edhe për qeverisjen”, – theksoi atëherë kryetarja e LSI.
Kryemadhi thumbon Bashën dhe Ramën
Ndër të tjera, në fjalën e saj Kryemadhi ka thumbuar Bashën dhe Ramën. Teksa ka prezantuar në Vlorë kandidatin Luan Rama, ajo u shpreh se këtë të fundit e kanë zili dhe ata që e kanë njohur më parë, pasi dikur ai ka qenë pjesë e PS. Këto fjalë ajo i ka drejtuar edhe për Bashën, për t’i treguar këtij të fundit, se kandidatët më të mirë ikin vetë tek LSI, prandaj ajo s’ka nevojë për mbështetje tjetër.
“Xhelozitë janë shumë të mëdha për ty, kanë qenë që kur ke qenë i ri në PS. Jam e bindur se ti ekziston, i shqetëson, i bezdis të gjithë rilindasit që i kanë menduar vlonjatët si njerëz që mashtrohen, koha e allishverisheve në Vlorë ka marrë fund. Luani s’është nga Vlora, por drejton listën e Vlorës për një arsye, se ne duhet të kuptojmë që Shqipëria siç është vend i madh për ndarjen e mentaliteteve e lokaliteteve është aq i vogël për të luftuar të gjithë bashkë kundër tjetërsimit të identitetit e sovranitetit kombëtar”, – u shpreh ajo.
Si për të theksuar edhe njëherë mesazhin e saj, Kryemadhi shprehu me bindje të plotë se Vlorën do ta fitojë LSI. Sipas saj, Rama nuk ka shanse në Vlorë sepse këtë herë ai nuk mund të shpëtojë nga vjedhjet dhe aferat korruptive që ka përfituar atje me biznesmenë të korruptuar. Kështu, sipas saj, LSI ka mundësinë të jetë forcë e parë në të gjithë vendin.
“Shanset janë që Vlora jo vetëm të jetë forcë e parë, por drejtuese e gjithë qarqeve në gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm në Vlorë. Rama e di shumë mirë që ai në Vlorë do humbi e di mirë që në gjithë Shqipërinë ka humbur, por do të krijojë alibitë e veta të menaxhojë ata 4 muaj për të mbyllur gjithë letrat e dokumentet. S’ka Zot që e mbron Ramën, hajdutët e pronave të vlonjateve në Vlorë, nuk ka askënd që ta mbrojë, çdo njeri që ka cënuar lirinë, të drejtën e jetën e të gjithë shqiptarëve. Prandaj e përsëris ne nuk kemi nevojë as për PD dhe as për PS”, – tha ajo.
Diskutime rreth kësaj post