Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në Facebook për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Iranin, pasi ky i fundit fshihet pas sulmeve kibernetike që goditën sistemin online të vendit tonë më 15 korrik.
Berisha shkruan se ngrirja e marrëdhënieve diplomatike me Iranin është akt i vonuar dhe gjysmak.
Reagimi i plotë i Berishës:
“Ngrirja e marrëdhënieve diplomatike me Iranin një akt i vonuar dhe gjysmak
Të dashur miq, Republika Islamike e Iranit gjatë këtyre viteve ka projektuar për të ndërmarrë ndaj Shqipërisë një seri aktesh subversive dhe armiqësore të rrezikshme. Për këto akte, në mënyrë të përsëritur, kemi kërkuar ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me regjimin e ajatollaheve të Iranit. Por kërkesat tona nuk janë marrë parasysh nga autokrati i Tiranës. Kjo ka patur shkaqet e veta obskure të lidhjeve të përfolura të fshehta, Rama-Veliaj me regjimin e ajatollaheve, të denoncuara nga unë mënyrë të përsëritur, në parlament dhe jashtë tij. Mundet që prapa këtyre lidhjeve qëndrojnë edhe financime të fshehta të regjimit të ajatollaheve për ardhjen e PS në pushtet.
Duke dënuar me forcën më të madhe të gjitha aktet subversive të Iranit ndaj Shqipërisë, sot kërkoj, jo ngrirjen por ndërprerjen e plotë të marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Republikën Islamike të Iranit. sb”-shkruan Berisha.
Diskutime rreth kësaj post