Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila Këtë e ka bërë të ditur nëpërmjet një konference për gazetarët, se grupi parlamentar i kësaj partie ka proceduar në Kryesi të Kuvendit amendamentimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshmet, që do tu mundësoj diasporës të votojnë në ambasadat apo konsullatat në vendet ku ata jetojnë. Ajo ka shtuar se kërkesa është protokolluar dhe do të fillojmë me trajtimin e tyre në Kryesinë e Kuvendit. Ndërkohë Kryesia e Kuvendit ka mbajtur ditën e djeshme mbledhje ku në rend të ditës ka qenë nisma legjislative “Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-256”.
Inicimi për ndryshimin e kësaj procedure fillimisht bëhet në Kuvendin e Kosovës, ku më pas Projektligji i përcillet Qeverisë për opinionin e saj dhe më pas përgatiten deklarimet për ndikimin buxhetor dhe se a është në përputhje kjo me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Pas kësaj procedure, i ofrohet Kuvendit për të marrë vendim nëse duhet të kalojë ose jo Ligji. Pas mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të drejtuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca, Kryesia procedoi projektligjin duke i hapur rrugë diskutimeve në qeveri. Menjëherë më vonë është bërë edhe votimi në Qeveri i Projektligjit.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky projektligj është inicuar edhe në legjislaturat e kaluara dhe se mundëson votimin e diasporës në ambasada dhe konsullata duke ua ofruar mundësinë për votim më të lehtë. Tashmë projektligji kalon në Kuvend.
Ndërkohë përpara fillimit të mbledhjes së Kryesisë, nënkryetari i Kuvendit nga PDK, Bedri Hamza tha se kanë marrë ftesë për të marrë pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit për të diskutuar për ligjin për zgjedhjet. Ai u shpreh se nuk e kanë parë të nevojshme që të jenë pjesë e mbledhjes së kryesisë, pasi konsiderojnë që kjo nuk është gjë që duhet të trajtohet me urgjencë.
“U trajtua propozimi për një pikë të rendit të ditës, ligji për zgjedhjet. Ne paradite patëm një seancë ku shumë deputetë i ngritën çështjet që janë me urgjencë, siç është trajtimit me pandeminë, gjendja me ekonominë. Ne e kuptojmë rëndësinë e reformës zgjedhore. Ka nevojë për përmirësime në këtë fushë, por ne e dhamë mendimin që nuk pajtohemi që kjo çështje kaq e rëndësishme të trajtohet në këtë mënyrë dhe urgjencë”, tha Hamza para medieve.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka deklaruar se në seancë do ta kundërshtojnë shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit për zgjedhjet, pasi sipas tyre pozita po vepron me shumë ngut.
“Vetëm në sisteme totalitare, në sisteme ku ka deficite serioze të demokracisë, nxjerrët për amandamentim një ligj i cili rregullon të drejtën themelore për të qenë i zgjedhur. Për ne është plotësisht e papranueshme që në rrethana të që nuk është aspak prioritet ballafaqohet Kuvendi dhe partitë politike me një ndryshim të tillë. Kjo e konfirmim konstatimin tonë që ndjenja e totalitarizmit, arroganca e numrave nuk ishte veç një deklarim i yni por po vërtetohet sot”, tha ai.
Edhe reagimi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë në të njëjtën linjë me dy partitë e tjera opozitare. LDK e konsideron të ngutshëm vendimin për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje pasi sipas tyre Kosova sapo ka kaluar një proces zgjedhor dhe sapo ka konstituuar legjislaturën e re.
“LDK e vlerëson të ngutshëm dhe shantazhues veprimin e sotëm për ta sjellë në votim pa një dakordim paraprak, pa në diskutim adekuat dhe pa një debat të gjerë, njërin ndër ligjet më të rëndësishme në Kosovë. Përpjekja për procedim të jashtëzakonshëm të Ligjit të Zgjedhjeve, në seanca të jashtëzakonshme dhe atë para formimit të institucioneve, nuk është as nismë me substancë e as nismë qëllim-mirë; por, është shantazh i pushtetit. Është shantazh mbi arrogancën e numrave, në vend të stabilitetit politik, i cili i kontribuon tërësisht mosbesimit, sjelljes jokorrekte dhe jostabilitetit”, thuhet në njoftimin e LDK.
Diskutime rreth kësaj post