Çështja e detit me Greqinë, vijon të jetë ende e nxehtë në Shqipëri, ku politika dhe ekspertët e fushave, janë përfshirë në debate të forta me njëra-tjetrën. Por ditën e djeshme për këtë çështje, ka reaguar edhe një nga partizanët dhe personi që denoncoi marrëveshjen e detit mes Greqisë dhe Shqipërisë të firmosur në vitin 2009 nga qeveria Berisha.
Bëhet fjalë për kolonel Myslim Pashaj, i cili përmes një statusi në rrjetet sociale i është përgjigjur ish-ministrit të Jashtëm, Besnik Mustafaj. Ky i fundit teksa ka komentuar pak ditë më parë vizitën e kryeministrit, Edi Rama në Greqi, çështjen e negociatave për detin dhe deklaratat e ish-ministres së Jashtme greke, Dora Bakojanis, shprehu konsideratë të lartë për ish-ministren greke që ishte nënshkruesja e paktit të detit në 2009, duke theksuar se ajo nuk flet kot. Por për kolonel Pashaj në përgjigjen e tij, akuzon Mustafajn se është mashë dhe akoma i lidhur në hunjtë e ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Po ç’sulm ka bërë koloneli? Paskam sulmuar Marrëveshjen e Detit, e cila kishte pushtuar një pjesë të detit Territorial, në Kanalin e Korfuzit dhe në Ngushticën e Otrantos. Dhe në këtë sulm isha i pari (siç thoni ju!) Dhe ju shpreheni rëndom se këto janë “mllefet” e mija ndaj Sali Berishës, për sulmin e Marrëveshjes së Detit etj, etj. Fatkeqësisht këtë akt e paska kryer një “sharlatan” prandaj “mos e vini re”. Ky ndajshtim fyes ndaj meje u përdor nga Sali Berisha në vitin 2009 në një intervistë në VOA. Po asaj nate Ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu, në një tubim publik më personifikoi si “Hero of Your Country”. Sa qesharak që bëheni kur i thoni opinionit se “Me Dora Bakojanis kemi kaluar shumë momente bisedash se ajo është një zonjë shumë serioze, nuk është një njeri që bën blof…etj”. Kjo është sërish fryrja jote prej kaposhi”, deklaroi ai.
Më tej kolonel Myslim Pashaj e cilëson ish-ministrin Mustafaj si sharlatan.
“Po pse nuk u thua shqiptarëve se Dora Bakojanis, për Marrëveshjen që “sharlatani ka sulmuar” tha se ishte një “state of art”, dhe “Greqia realizoi synimet e saj strategjike”. Këtë duhet t’ia përktheni ju opinionit si ish-ministër i Jashtëm! Ky reagim shkon tani tek përmbyllja juaj, se “Jeni në përkim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Marrëveshjes! Vëreni se sa kontradiktor që jeni! Po, besoj se duhet ta dini qe unë kam qenë në ekipin e oponencës së Partisë Socialiste gjatë atij gjykimi historik! Ndërkaq, sapo e mbyllët fjalën, njëherë, zutë vend tek dera e hanit të Sali Berishës, i lidhur prej zinxhiri”, shkruan kolonel Myslim Pashaj.
Diskutime rreth kësaj post