Pasi drejtori i Policisë Shtetit, Ardi Veliu gjatë raportimit në mbledhjen online të Komisionit të Sigurisë, tregoi një video, të zonjës Zaida Çobo, e ëma e 15-vjeçarit të dhunuar, e cila mbante një pistoletë në dorë, lumë reagimesh erdhën nga radhët e opozitës por edhe nga gazetare politikane e qytetare.
Deputetja Rudina Hajdari shprehet se kjo sjellje e tij e bën me turp gjithë strukturën e policisë dhe ky person nuk mund të vazhdojë të qëndrojë në atë detyrë më.
“Si grua dhe si nënë jam shumë e indinjuar nga sjellja e sotme e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë i cili u mundua të justifikonte një krim të rëndë nga ana e policisë së shtetit, dhunimin e një minoreni pa asnjë shkak e në mënyrë kafshërore, duke denigruar figurën e nënës së tij.
Detyra e Policisë së shtetit nuk është të përgjojë qytetarët e thjeshtë nga vrima e rrjeteve sociale, nuk është as denigrimi i taksapaguesve të rregullt, as nuk është bërja e biografive të personave që dhunojnë apo familjeve të tyre e aq më tepër nuk është ajo e denigrimit të grave dhe vajzave.
JO!
Detyra e policisë së shtetit është të godasë fort dhe pa mëshirë krimin e organizuar.
Nëse Drejtori i Përgjithshëm të njëjtin zell që ka për të denigruar nënat e viktimave të dhunës policore do e kishte për të luftuar bandat dhe organizatat mafioze, Shqipëria do të ishte një vend më i sigurtë për të gjithë.
Kjo sjellje e tij e bën me turp gjithë strukturën e policisë dhe ky person nuk mund të vazhdojë të qëndrojë në atë detyrë më”. ka thënë ajo.
Diskutime rreth kësaj post