Deputetja Rudina Hajdari paralajmëron bojkot të çdo seance parlamentare në të cilën nuk futet për votim hapja reale dhe 100% e listave. Sipas saj, shoqëria është e gjitha e bashkuar në këtë kërkesë dhe ajo është e bindur se ata që e pengojnë do ndëshkohen masivisht nëse nuk tërhiqen nga rruga hileqare që po ndjekin.
Rudina Hajdari shkruan:
“Reformat zgjedhore nuk duhet të kthehen në mjete për të fuqizuar më tej Kryetarët e Partive në Shqipëri por duhet të fokusohen te fuqizimi i qytetarëve. Prandaj kemi kërkuar që prej fillimit të këtij procesi që të mundësojmë hapjen e listave me synim që deputetët në Kuvend ti përzgjedhë qytetari dhe jo kryetari. Kështu, Parlamenti i ardhshëm do të jetë më i përgjegjshëm dhe do të kërkojë më shumë llogari ndaj kujtdo kryeministri.
Kështu do të kemi më pak korrupsion dhe më shumë mirëqenie. Është e trishtë të shohësh se si Partia Socialiste po bën cdo gjë që të mos ia japë qytetarëve këtë të drejtë kushtetuese, duke sjellë drafte hileqarë dhe duke i devijuar këtij debati kaq të rëndësishëm, për të cilin kanë marrë edhe angazhim para publikut.
Shoqëria është e gjitha e bashkuar në këtë kërkesë dhe unë e kam bindje se ata që e pengojnë do ndëshkohen masivisht nëse nuk tërhiqen nga rruga hileqare që po ndjekin.
Ne nuk bëjmë asnjë centimetër pas dhe as nuk negociojmë, sepse nuk mund të negociojmë me sovranitetin i cili i përket popullit dhe jo dy apo tre kryetarëve.
Ndaj përsëris se do të vazhdojmë te bojkotojmë cdo seancë parlamentare në të cilën nuk futet për votim hapja reale dhe 100% e listave.
Beteja e tyre është për pushtet personal, e jona është për të ardhmen e vendit”, – shkruan Rudina Hajdari.
Diskutime rreth kësaj post