Hipja mbi kofano e Mihal Kokedhimës dhe e gjithë tollovia që ndoqi veprimin e tij me debate mbi shërbimin, turizmin, faqen e nxirë të shqiptarëve nga ky veprim deri tek çuarja e Blendi Klosit me një tufë lule në dorë në Sarandë ishte një “jackpot” Edi Ramën në këto ditë të thata jo vetëm nga kushtet meteorologjike, por edhe në zhvillime.
Qëllimi kryesor i propagandës është që të mos e lejë audiencën, në rastin konkret të qeverisurit, që të mendojnë.
Ajo është e interesuar që të trumpetojë zhvillime të caktuara që i shërbejnë qeverisë, dhe nëse mungojnë, të stisë zhvillime që ngjallin reagim publik me qëllimin e vetëm: Populli të mos mendojë qetë, pasi kështu fillon dhe kupton realitetin!
Nisur nga eksperienca e viteve të shkuara, nëse nuk do të ndodhte ajo që ndodhi me Mihalin, mjeshtrat e propagandës së Ramës do të shpiknin një “Mihal” tjetër në mënyrë që shqiptarët të kishin se me çfarë të merreshin në këto ditë “të vdekura” gushti.
Restoranti i Mihalit kishte vite që funksionte në mënyrë të jashtëligjshme dhe mbi të gjitha ishte ngritur pa leje, por të gjitha këto nuk mjaftuan që qeveria të ndërhynte. Ajo ndërhyri vetëm kur shqiptarët e irrituar nga veprimi i Mihalit kërkuan njëzëri prishjen e kësaj prone.
Gjatë këtyre viteve, përmes mjeshtrave të propagandës që punojnë për të, të njohur në publik apo edhe kompani të specializuara që punojnë në “background”, Rama e ka lexuar mirë karakterin e shqiptarit mesatar: Një njeri kryesisht i pashkolluar, i lodhur nga padrejtësitë, i etur për shtet ligjor dhe veprime të shtetit dhe që vepron me instikt!
Ata e kanë ndërtuar këtë profil të shqiptarit dhe bombardojnë me mesazhe pikërisht këtë fashë të gjerë shqiptarësh.
Me këtë profil në dorë, Rama e di mirë edhe çfarë duan shqiptarët prandaj edhe vepron duke ndjekur instiktin pjesës më të madhe, ose ndoshta më të zhurmshme të shoqërisë shqiptare.
Prandaj Mihali ishte një “jackpot” i madh për Ramën, të cilin kryeminitri po e shfrytëzon maksimalisht duke iu përgjigjur edhe irritimit të mijëra shqiptarëve në rrjetet sociale të cilët kërkuan prishjen e restorantit të Mihalit se na “nxiu faqen”.
Këtij “jackpoti” me emrin Mihal i shtohet sëfundmi edhe aksioni për raportimin nga vetë qytetarët të shtëpiave të komshijve që i lëshojnë për plazhistët gjatë muajve të verës, me argumentin se nuk janë të regjistruar.
Rama e di, sepse e testoi edhe me aksionin për energjinë elektrike, se shqiptari “vdes” të spiunojë pak komshiun që bën një veprim të gabuar.
Në “inbox-in” dhe numrin e tij të celularit shkojnë çdo ditë me qindra denoncime banale nga njerëz të ndryshëm për komshiun përballë që po mbyll ballkonin të bëjë një dhomëz më tepër në shtëpinë e tij apo atë tjetrin sipër që nevojtar për para ka lëshuar dy dhoma me qira për plazhistët gjatë verës.
Prandaj edhe ai po e shfrytëzon maksimalisht këtë nevojë deri edhe patologjike të shqiptarit mesatar, por që nuk lidhet me ndërgjegjësimin për domosdoshmërinë e zbatimit të ligjit, për “t’ja futur içik” kushëririt apo komshiut nga xhelozia.
Asnjë nga këto veprime nuk ka në fakt në thelb qëllimin për të zbatuar ligjin, por thjesht të ushqejë instiktin e shqiptarit të lodhur nga padrejtësitë dhjetra vjeçare për të parë “çik shtet” nga njëra anë, por edhe për t’u kënaqur me prishjen e planeve të komshiut.
Qeveritë e bazuara tek propaganda kryejnë shpesh operacione sociale duke përdorur instiktet e shoqërisë.
Në një pjesë të mirë të rasteve situata ka dalë jashtë kontrollit duke na çuar në tragjedi të mëdha, siç ishte ajo që ndodhi pasi Gobelsi i Hitlerit ndërtoi “gjermanin e ri” apo raste të tjera të ngjashme. /albeu
Diskutime rreth kësaj post