Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij sot në organizimin e ditës kombëtare të infermierëve, që po zhvillohet te Amfiteatri.
Rama ka zbuluar se vendimi i parë i qeverisë së tij, në mandatin e tretë do i kushtohet fëmijëve të të rënëve në krye të detyrës, përfshirë këtu edhe mjekëve. Ai ka bërë me dije se për ta do të ketë një kujdes të posaçëm nga shteti deri kur të mbushin moshën 18 vjeç.
“Ne kemi folur mes nesh për çdo rast tragjik humbje të jetës ndër bluzat e bardha dhe hera herës kemi qenë të tunduar për të bërë nderimet përkatëse, por gjithmonë në fund kemi mbetur të mendimit që nderimet bëhen në fund të luftës. Dhe ndaj jam shumë mirënjohës Urdhrit të Infermierëve për këtë mundësi që na jep që të nderojmë me përulësi ata nuk janë më mes jush dhe njëkohësisht ta shfrytëzojmë këtë mundësi për t’iu përcjellë juve shprehjen “respekt dhe mirënjohje”. Sepse ju e di se cilado prej jush dhe atyre ndër ju që s’janë këtu sot, do ishte një prej atyre që nuk e përballuan dot nderi në fund luftën me armikun e padukshëm në trupin e tyre. Kjo ka qenë një luftë nervash e jashtëzakonshme. ju keni lënë familjet tuaja dhe jeni vetë privuar nga kontaktet normale për të ruajtur familjet tuaja. Pa ju, shumë persona do e kishin të pamundur t’i mbijetonin këtij armiku. Dhe pse fjalët në këtë rast nuk mjaftojnë, realisht nga zemra një faleminderit shumë të madh për të gjithë ju që jeni këtu dhe për ata që nuk janë këtu për shkak të detyrës. Duke parë fotografitë e kolegëve tuaj që humbën jetën në këtë përpjekje, dua të përsëris një angazhim që mbase e keni dëgjuar ose jo, e kam marrë qysh përpara ditës së zgjedhjeve, që vendimin e parë të qeverisë së re ne do t’ia kushtojmë atyre vajzave dhe djemve të njerëzve që i kanë shërbyer qytetarëve, shtetit dhe kanë rënë në krye të detyrës. Fëmijët e të rënëve në krye të detyrës të bluzave të bardha nuk do të jenë vetëm. Me ligjin e ri që do të miratojmë për ta, deri në ditën e daljes së tyre në jetë do të kujdeset qeveria për to, për t’i lidhur familjes një pension shumë modest. Është më shumë se sa asgjë, por ne mund të bëjmë më shumë se kaq si shoqëri dhe si qeveri në emër të shoqërisë. Duhet t’i nderojmë këta njerëz të mirë dhe profesionistë me titullin e dëshmorit, por të marrim përsipër të kujdesemi për fëmijët e tyre. Nuk do të kenë vetëm certifikatën në mur dhe pensionin modest, por dhe një mbështetje të vazhdueshme dhe të pandërprerë deri kur ata të dalin në jetë”, tha Rama.
Diskutime rreth kësaj post