Kryeministri Edi Rama i dha fund ditën e djeshme lojës së Presidentit të Republikës, Ilir Meta me çështjen e ministrit të Jashtëm. Prej disa ditësh dy krerët më të rëndësishëm të shtetit u përfshinë në një “luftë të ftohtë” me njëri-tjetrin, pasi Meta nuk pranoi të dekretonte Gent Cakën në drejtimin e Ministrisë së Jashtme. Por teksa doza e sulmeve shtohej dita-ditës dhe kreu i shtetit hoqi petkun e presidentit, Rama dje i dha një zgjidhje debatit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri bëri të ditur se ligjërisht drejtimin e Ministrisë së Jashtme do ta marrë ai. Kjo do të thotë se Edi Rama do të jetë në krye të këtij institucioni vetëm “de jure”, sepse ai do ia delegojë të gjitha kompetencat Gent Cakës, i cili do të vazhdojë të mbajë postin e zëvendësministrit të Jashtëm. Në këtë mënyrë, Rama pritet ta përfaqësojë Ministrinë e Jashtme vetëm në takime të rëndësishme ndërkombëtare, ndërsa Caka do të merret me punët e përditshmërisë. “Presidenti s’e ka ç’dekretuar ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues. Shkelje e radhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese. Deri atë ditë që vjen shumë shpejt, do të jem de jure në këtë rol sepse s’kemi kohë për të humbur në kërkim të presidentit”, tha Edi Rama. Tashmë kërkesa e Ramës për tu dekretuar ministër i Jashtëm ndodhet në tryezën e Ilir Metës e bashkë me të kryeministri ka dorëzuar edhe një herë kërkesën për shkarkimin e Ditmir Bushatit. Herën e parë Meta nuk pranoi të ç’dekretonte Bushatin, por Rama pa humbur kohë i ka dërguar një kërkesë të re për këtë çështje.
Meta në Gjykatë Kushtetuese
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi dje se shumë shpejt për presidentin Ilir Meta do të ketë edhe një padi në Gjykatën Kushtetuese. Gazeta e raportoi pak ditë më parë se mazhoranca po planifikonte t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për rastin e Cakës, ndërsa diçka të tillë e pohoi edhe kreu i qeverisë. Edhe pse Kushtetuesja nuk është ende funksionale, sinjalet janë se ajo do të jetë gati brenda dy muajsh. Gazeta mësoi se juristët e Partisë Socialiste e kanë përgatitur ankimin ndaj Metës dhe po presin vetëm që të formohet kuorumi i organit kushtetues. PS më tepër kërkon që Kushtetuesja të japë një vendim final për këtë çështje, pasi presidenti tani mund të bllokojë këdo ministër të dojë duke u bazuar vetëm te argumenti se ai është i papërshtatshëm. Pra, Rama ka zgjedhur të aplikojë një zgjidhje të përkohshme derisa Gjykata Kushtetuese të japë verdiktin e saj për ngërçin e krijuar dhe për debatin ligjor.
Meta jashtë loje për çështjen e detit\
Kjo lëvizje e Ramës për të marrë drejtimin e Ministrisë së Jashtme pritet të nxjerrë jashtë loje Ilir Metën sa i takon bisedimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështjen e detit. Edhe në shtetin grek, pasi u dorëhoq Nikos Kotzias, Ministrinë e Jashtme e mori në dorë kryeministri Aleksis Tsipras. Duke qenë se si në Greqi, ashtu edhe në Shqipëri ky dikaster drejtohet në nivel kryeministror, pritet që edhe diskutimet të zhvillohen mes Ramës edhe Tsipras, duke lënë kështu në hije Metën. Ai duhet vetëm të dekretojë marrëveshjen e arritur mes dy palëve, pra do të ketë vetëm rol formal. Në këtë mënyrë, pritet që mazhoranca ta lërë presidentin jashtë negociatave që do të zhvillojë me palën greke, ndërsa Meta do të njihet me produktin përfundimtar vetëm në fund. Kujtojmë që pak kohë më parë Edi Rama deklaroi se për këtë çështje është Parlamenti sovran.
Diskutime rreth kësaj post