Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer në kritika të forta ndaj kundërshtarëve të tij lidhur me menaxhimin e pandemisë. Presidenti Ilir Meta dhe lideri demokrat Lulzim Basha kanë dhënë alarmin se po shkohet drejt kolapsit, por për kryeministrin e gjitha bëhet për kredo politike.
Ditën e djeshme në një konferencë për shtyp bashkë me ministren e Shëndetësisë dhe ministrin e Rindërtimit, kreu i qeverisë ka dhënë detaje mbi menaxhimin e situatës. Kryeministri Rama u shpreh se opozita të vetmen gjë që është duke bërë, është ngritja e panikut tek qytetarët lidhur me Covid-19.
“Për të folur që nga situata shëndetësore dhe se çfarë është bërë dhe se çfarë do të bëjmë për shëndetësinë. Më lejoni të ndaj me publikun ndjenjën e neverisë dhe të përbuzjes për shefat e të ashtuquajturës opozitë që janë çakërdisur deri në pikën ku shpresat e tyre të lodhura për pushtet i kanë mbështetur të gjitha te ëndrra e një katastrofe. Janë bërë zëdhënës të panikut, zëdhënës të çorodisë psikologjike dhe zëdhënës të një pesimizmi krejtësisht të fabrikuar për të krijuar sa më shumë dëshpërim në popull përmes gënjeshtrash sajesash abuzimesh dhe një propagande të shfrenuar. Po udhëheqin në këtë front që është një fron që Shqipëria ka një pjesë aq të vogël sa ç’është vetë”, – u shpreh Rama.
Duke e cilësuar si kriminale nxitjen e panikut kryeministri Rama, u shpreh se opozita është e humbur prandaj po gënjejnë. “Kjo është një tallje poshtëruese me politikën, kjo është një lehaqenie që kur vjen nga njerëz që përfaqësojnë njerëz dhe janë aty për të dhënë alternativa serioze dhe për të folur me gjuhën e të vërtetës përbën pa asnjë dyshim krim. Është kriminale të nxisësh panik me gënjeshtra dhe fabrikime. Është shprehja më kuptimplotë e dëshpërimit të të humburve. Janë të humbur të marrë fund prandaj po gënjejnë mënyrë që të dalë nga qorrsokaku i tyre. Çetë karagjozësh, njëri thotë ma jepni mua se e ndaloj unë infeksionin, tjetra thotë shkoni në kisha e xhamia se nuk ka Covid, pa folur për atë të Lalëzit që vazhdon me çmenduritë e veta”, – u shpreh Rama.
Ndër të tjera, Rama ka hedhur poshtë edhe akuzat e opozitës se spitalet janë në kolaps. “Është e pajustifikueshme me asgjë që sot t’u thuhet në mënyrë të përditshme njerëzve se spitalet janë në kolaps çka nuk është e vërtetë, që njerëzit dergjen dyshemeve çka nuk është e vërtetë edhe mund të ishte siç ka ndodhur në vende shumë më të zhvilluara në spitale më të famshme botërisht, por nuk është e vërtetë që mjekimi bëhet në autoambulanca”, – u shpreh Rama.
Rama i përgjigjet presidentit Meta
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur edhe presidentit Ilir Meta sa u përket akuzave të këtij të fundit se qeveria nuk po e menaxhon si duhet situatën e Covid. Kryeministri u shpreh se spitalet janë të pajisura me të gjitha kushtet për të sëmurët.
“Ka mësuar dhe një gjë Likja, s’ka plan. Likja që të vetmin plan që ka është se si të ndajë dëshmorët në mjeshtra sporti dhe ustallarë votash. Autoambulancat, shkoni nesër dhe shikoji se çfarë kanë brenda. S’janë ato të Peço Vasilit. As Tritan Kryemadhit. Janë të pajisura me 100% instrumente për të sëmurët përkatës dhe me aparaturat e oksigjenit. Çdo të thotë kjo se njerëzit dergjen në spitale? Jo nuk është e vërtetë. Ata presin, se është procedurë shtrimi, jo si ai futbollisti afrikani që theu këmbën dhe mori pasaportë për 8 orë. Si nuk ka vend në spital? Mund të mos kishte, siç nuk ka në Belgjikë. Fakti është që ka”, – tha ai.
Lidhur me akuzat e hedhura nga presidenti se qeveria nuk ka një plan, kryeministri u shpreh se qeveria e ka planin madje i është dërguar edhe presidentit. “Jo vetëm që e kemi një plan. Jo vetëm që strategjia e shkuar i ka shkuar dhe baba Xhikes në tryezë, si president, që në fakt prej presidenti ka vetëm kostumin. S’ka asgjë tjetër më. Por si pjesë e strategjisë ne jemi angazhuar financiarisht dhe për sigurimin e vaksinës”, – u shpreh Rama.
Diskutime rreth kësaj post