Sulmuesi u paraqit mirë në ato pak ndeshje që luajti me kampionët e Francës dhe kjo e nxiti klubin francez ta blinte përfundimisht kartonin e tij.
Një nga lëvizjet e para në merkato, ende pa u hapur ajo zyrtarisht, ndodhi ditën e djeshme, pasi Paris San Zhermen dhe Interi arritën akordin mes tyre për kalimin përfundimtar të sulmuesit argjentinas Mauro Ikardi nga Milano për në Paris, një lëvizje me vlerë 58 mln euro, që është dhe një nga shitjet më të shtrenjta në historinë e Interit, më saktë shitja e dytë më e shtrenjtë pas Zlatan Ibrahimoviçit.
Duhet thënë se për arritjen e marrëveshjes u futën në bisedime shumë elementë, por palët ranë dakord të përmbyllej me sukses kalimi i Ikardit tek kampionët e Francës, kjo dhe për faktin se tek Interi askush nuk e dëshiron më kthimin e argjentinasit. Kurse Paris San Zhermen nga ana e saj ka leverdi, pasi Edinson Kavani ka gjasë të kthehet tek Atletiko Madrid e Kilian Mbape me shumë gjasë do të bëhet pjesë e Realit të Madridit. Joi vetëm kaq, por edhe Nejmar ka kërkuar të kthehet tek Barcelona. Kuptohet, jo të gjithë do të lihen të lirë, por në kushtet kur sulmuesit kryesor e shohin veten larg PSG-së, atëherë pronari i klubit, sheiku Al Khelaifi, vendosi të miratojë blerjen përfundimtare të Ikardit, si formë presioni edhe për lojtarët e tjerë të skuadrës pariziene.
Sikurse shprehen edhe mediat e huaja sportive, telonevela “Mauro Ikardi” që zgjati për më shumë se një vit mbyllet me një fund të lumtur për të gjitha palët. Këtë të dielë sulmuesi argjentinas u bë zyrtarisht një lojtar i Paris Saint Germain në të gjitha efektet, pasi Interi pranoi të ulte disi pretendimet ekonomike dhe kampionët e Francës ushtruan të drejtën e blerjes së kartonit të bomberit nga Rosario. Marrëveshja për kartonin e Ikardit u arrit mbi bazën e 50 milionë eurove që do të shkojnë menjëherë në arkat e klubit zikaltër plus 8 milionë euro të tjera në formë bonusesh lehtësisht të arritshme për një total prej 58 milionë eurosh, ndërkohë që në marrëveshje është përfshirë edhe një klauzolë se në rast se PSG vendos ta shesë Mauriton te një klub italian brenda 12 muajve të ardhshëm do të derdhë në arkat e Interit edhe 15 mln euro të tjera.
Siç njoftoi edhe klubi i PSG, Ikardi ka firmosur me parizienët një kontratë deri në vitin 2024 me një pagë prej plot 10 mln eurosh në sezon. 20 golat e realizuar nga 27-vjeçari gjatë këtij sezoni ndërmjet Ligue 1, Kupave të Francës dhe Champions League bindën drejtorin sportiv të francezëve Leonardo të blente kartonin e Ikardit. Në momentin e huazimit të futbollistit te kampionët e Francës në 31 gusht të vitit të kaluar ishte rënë dakord që PSG do ta blente kartonin e sulmuesit për shumën e 70 mln eurove, por kriza ekonomike nga koronavirusi bëri të vetën edhe në këtë operacion merkatoje, me Interin që uli me rreth 20 mln euro kërkesat e tij. Me këtë shitje zikaltrit kanë rregulluar ndjeshëm bilancin pasi Ikardi ka sjellë 48 mln euro plus. Ikardi u bë kështu shitja e dytë më shtrenjtë në historinë e Interit duke kaluar dhe fenomenin Ronaldo, ndërkohë që në vend të parë qëndron Zlatan Ibrahimoviç që u shit tek Barça në vitin 2009 për 69,5 mln euro.
Diskutime rreth kësaj post