Shpërthen konflikti mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Aleanca e tyre nuk rezultoi e suksesshme në zgjedhjet e 25 prillit dhe të dyja palët kanë mbetur të pakënaqura duke fajësuar njëra-tjetrën për humbjen. Të dielën kryedemokrati Lulzim Basha mblodhi Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar, por përveç debateve sa i takon fatit të tij, mësohet se ka pasur diskutime edhe lidhur me aleancat në zgjedhjet e 25 prillit.
Sipas burimeve, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, disa anëtarë kanë shfaqur rezerva si për aleancën me LSI, ashtu dhe për bashkëpunimin me aleatët. Lidhur me LSI kanë qenë të shumtë ata që kanë kërkuar që të mos ketë më bashkëpunim me të. Ndërsa mësohet se akuzat janë hedhur dhe ndaj presidentit, pasi sipas demokratëve protagonizmi i tij gjatë fushatës e dëmtoi shumë opozitën. Po ashtu mësohet se dhe vetë Basha ka deklaruar se aleanca me LSI nuk funksionoi. Kjo do të thotë se tashmë po shkohet drejt divorcit.
Nga ana tjetër mësohet se kritika ka pasur edhe ndaj aleatëve. Disa emra dolën kundër Bashës lidhur me manipulimin e zgjedhjeve dhe për këtë arsye anëtarët e Këshillit kanë lëshuar valë kritikash. Ata janë shprehur se nuk duhej të futeshin në lista të sigurta aleatët. Sipas tyre ata duhej të ishin lënë si grupim më vete, ose të futeshin jashtë vijës së kuqe dhe kushdo meritonte të bëhej deputet. Kjo pasi sipas tyre, asnjë aleat nuk mori më shumë vota se herësi. Madje sipas tyre, ka emra me 2-3 mijë vota që përfituan mandat falë futjes në lista të sigurta.
Në kuadër të këtyre diskutimeve, kuptohet qartë se në zgjedhjet e ardhshme, qoftë ato vendore, qoftë ato të përgjithshme, pritet që Basha të lërë jashtë një pjesë të madhe të aleatëve. Ajo që vihet re është se demokratët janë shumë të zhgënjyer me LSI e sidomos presidentin. Ajo që vihet re është se askush nuk i ka dalë në mbrojtje në procesin e shkarkimit që ka nisur mazhoranca. Duke qenë se LSI ka tani vetëm 4 deputetë, pritet të kemi një ndarje, pasi PD ka marrë 59 mandate dhe nuk ka nevojë për asnjë aleancë përballë qeverisë. Në tavolinë është edhe ideja e bashkëqeverisjes, e cila nëse realizohet, do sjellë një frymë krejt tjetër në politikën shqiptare.
Qëndrimet e LSI
Ajo që vihet re është se qejfmbetje ka dhe nga ana e LSI. Pak ditë më parë një ish-deputete e LSI deklaroi se do të rishikohen qëndrimet, ndërsa Monika Kryemadhi u pendua për djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve, duke fajësuar PD. Por ajo që vihet re ditët e fundit është se përveç mungesë së kontakteve mes PD dhe LSI, është se mediat pranë presidentit Ilir Meta janë hedhur në sulm ndaj kryedemokratit Lulzim Basha. Gazeta e tha një ditë më parë se kritikohej mënyra sesi Basha kontestoi rezultatin, ndërsa ajo që vihet re është se dje ka pasur sulme edhe për mbledhjet e organeve drejtuese të PD. Mediat pranë kreut të shtetit deklarojnë se me Bashën në krye të PD Rama do të qëndrojë edhe 4 vite i qetë në krye të qeverisë. Madje sipas tyre, skema për të shkuar në zgjedhje më 13 qershor është strategji për të eliminuar debatet e brendshme. Pra duket qartë se kemi një ndarje në raportet mes dy partive. Demokratët e shohin LSI dhe Presidentin si fajtorët e humbjes në zgjedhje. Ndërsa LSI dhe Presidenti akuzojnë PD për disfatën e thellë. PD i mori LSI-së rreth 15 deputetë dhe në partinë e drejtuar nga Kryemadhi flitet për tradhti. Ai që do të tregojë gjithçka do të jetë shtatori, pasi do të konstituohet Parlamenti i ri dhe do të vulosen aleancat politike.
Diskutime rreth kësaj post