Zv/ministri i Mbrojtjes, njëherësh deputeti i zgjedhur i Partisë Socialiste, Petro Koçi ka shpërthyer ditën e djeshme në kritika të forta ndaj binomit “Berisha-Basha” dhe Partisë Demokratike.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, zoti Koçi shprehet se në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit qytetarët shqiptarë shpallën PD-në sërish “non grata”, ndërsa theksoi se kreu i PD, Lulzim Basha është i kapur prej ish-kryeministrit Sali Berisha. Madje, numri dy i PS shkoi edhe më tej kur theksoi se ka ardhur koha që Berisha të dorëhiqet si deputet dhe largohet nga politika.
“Populli shpalli Partinë Demokratike sërish “non grata” në 25 prill. Pas kësaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës futën Sali Berishën në listën e zezë. Berisha po të donte më shumë PD-në sesa veten, do të shpallte dorëheqjen si deputet. Berisha do aq shumë prapanicën e vet saqë vetëpropozohet për lider. Një nga produktet e mbrapshta të Partisë së Punës. Simbol i moralit të Partisë Demokratike për periudhën e sapokaluar të tranzicionit. Lulzim Basha është i kapur prej Sali Berishës. PD do të vazhdojë të jetë makth i prapakthimit”, – shkruan ai.
Më herët, zoti Koçi komentoi edhe shpalljen e ish-kryeministrit Sali Berisha “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa theksoi se ky ishte një mesazh për drejtësinë shqiptare.
“Argumentimi që bën DASH lidhet me korrupsion. Sillet Berisha sikur është ky që ka mbrojtur Kosovën nga mundësia e ndryshimit të kufijve. Ishte një lojë politike për të fituar vota në Kosovë. Është një përpjekje e dëshpëruar. Inkurajim për drejtësinë shqiptare shpallja e Berishës non grata. Ky qëndrim i prerë ndaj korrupsionit në nivelet më të larta të politikës është mesazh për drejtësinë”, – nënvizoi deputeti i zgjedhur i Partisë Socialiste, Petro Koçi.
Diskutime rreth kësaj post