Nuk ka zgjatur as 48 orë konseusi i opozitës parlamentare për të iniciuar ndryshimin e Kushtetutës me qëllim hapjen e listave. Dy deputetët e Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi dhe Besnik Troplini kanë tërhequr firmën e tyre nga lista me 29 deputetë.
Ndërkohë deputeti i opozitës parlamentare, Andi Përmeti thotë se 29 deputetët e opozitës në Kuvend kanë firmosur një kërkesë, e cila propozon rishikim të neneve 84 dhe 86 të Kushtetutës.
Sipas tij, opozita është e vendosur të kërkojë hapjen e sistemin elektoral.
“Është krijuar një lloj konfuzioni nuk e di ne tani me dashje apo se nga cila palë është krijuar, por ne deputetët e opozitës kemi bërë një kërkesë zyrtare të firmosur me 29 firma, e cila është për rishikimin 84 dhe 86 të Kushtetutës. Që janë pikërisht janë ato nene që mbajnë të mbyllura listat elektorale. Ne kërkojmë hapjen e sistemit. Sistemi është nevojë që sot të ndryshohet për t’iu hequr fuqinë perandorake që kanë tre veta për të vendosur për fat e të gjithë shqiptarëve. Propozimet tona kanë qenë për këtë pikë”, – tha ai.
Në lidhje me dy propozimet e tjera për heqjen e koalicioneve parazgjedhore dhe pragut zgjedhor 5 për qind, deputeti Përmeti tha se ky draft nuk është firmosur nga opozita.
“Ai që kemi propozuar nga ne, pjesën tjetër nuk e di nga ka ardhur. Është një kërkesë, një faqe që kërkon rishikimin neneve 84 dhe 86 të Kushtetutës. Poshtë saj 29 firma të deputetëve të opozitës që e kanë depozituar në Kuvend. Drafti që parashikon heqjen e koalicioneve dhe 5 % të pragut nuk është firmosur nga ne”, – tha ai.
Diskutime rreth kësaj post