Zgjedhjet e 2021 kanë përçarë Opozitën Parlamentare. Ashtu siç gazeta e tha pak ditë më parë duket që deputetët e rinj do ndahen në disa parti politike. I pari që shpalli partinë e re ishte Myslim Murrizi, ndërsa dje ka bërë publike forcën e saj politike Rudina Hajdari. Në një prononcim për mediat ditën e djeshme Hajdari tha se do të krijojë një parti të re, por që pjesë e saj nuk do të jetë Myslim Murrizi.
Ajo deklaroi publikisht që do të bashkohet me “Nismën Thurje”, duke qenë se ata kanë të njëjtat synime dhe programe politike.
“Partitë e vjetra janë kthyer në parti që u shërbejnë individëve, janë kthyer në SHPK. Dua të krijohet një formacion politik t’u shërbejë njerëzve. Kjo parti po krijohet me një ekip të ri intelektualësh dhe duan që kjo parti të jetë e njerëzve. Nuk bëhem pjesë e pjesë e partisë së z. Murrizi. Unë bashkë me të rinj të tjerë, me organizata të tjera siç është “Nisma Thurje” që kanë hedhur hapat e para për t’ju bashkuar publikut për një alternativë të hapur të gjerë dhe gjatë rrugës do bashkohemi”, deklaroi ajo.
Më tej përmes kësaj deklarate teksa falënderoi të gjithë për mbështetjen dhe sigurinë që po i japin që tani, Hajdari tregoi gjithashtu se në ditët në vijim do të nisin takimet nëpër rrethe dhe se partia e re që do të krijojë do të jetë një alternativë e re për qytetarët, të cilët i fton të bëhen pjesë duke ndryshuar njëherë e mirë politikën shqiptare.
“Jam e lumtur që njerëzit do bëhen pjesë e një iniciative që do ndryshojë politikën shqiptare. Jemi një grup qytetarësh, intelektualësh, studentë, personazhe nga diaspora etj, të cilët kemi vendosur të bëhemi bashkë në një projekt politik duke ftuar sigurisht edhe të gjithë ata që besojnë se vendi ka nevojë për ndryshim. Klasa aktuale politike ka dështuar. Kemi marrë përsipër për të udhëtuar javët e ardhshme në rrethet e ndryshme të Shqipërisë dhe për t’u kërkuar shqiptarëve se si duan ata të qeveriset Shqipëria në të ardhmen”, u shpreh Hajdari.
Deklarata e Murrizit
Nga ana tjetër kreu i grupit demokrat Myslim Murrizi deklaroi dje se do të garojë në zgjedhje me Partinë Lëvizja Demokratike e Shqipërisë. Sipas tij në këtë grupim do të bashkohen edhe themelues të PD. Sa për partinë e Hajdarit ai tha se Nisma Thurje është në shërbim të LSI, por në Partinë Lëvizja Demokratike e Shqipërisë nuk lejohen deputetë që aprovojnë korrupsionin. Sipas tij nuk ka problem, partia e saj do të jetë veç një numër më shumë.
“Partia ime do quhet “Lëvizja demokratike shqiptare”. Rudina Hajdari nuk ka qenë kurrë nismëtare për forcën e re politike dhe i ka shërbyer Nismës Thurje, e cila është produkt i LSI. Në partinë time s’ka vend për bashkëpunëtorë të sigurimit. Besoj se do të ketë disa deputetë të sotëm në përbërje të saj dhe në kandidimin e 2021 do të ketë individë dhe qytetarë të papërfolur në korrupsion, njerëz me kontribute të qendrës së djathtë, themelues të PD. Ne nuk vijmë në politikë nga ish-partia e punës as nga strukturat e sigurimit të shtetit. I theksoj këto kritere se do jenë frenuese për të gjithë ata që do duan t’i bashkohen kësaj force politike. Kënaqem shumë që nga 134 subjekte politike bëhen 137 asnjë të keqe s’ka”, tha Murrizi.
Përgjigja e Valterit
Sigurisht nuk ka munguar dhe deklarata e deputetit Halit Valteri ndaj deklaratës së Hajdarit. Në një intonacion revoltues dhe nota ironie ai tha se Hajdari tregoi në të vërtet kush është. Sipas tij, ajo ka vënë interesat e xhepit të saj përpara dinjitetit dhe të mirës për qytetarët.
“Dy fjalë për miken time Rudina. Sot nuk ka treguar asgjë më shumë se ajo që pritej, përfundoi në xhepin e një lëvizje në përpjekje për t’u kthyer në parti. Nisma Thurje është një lëvizje e financuar kryekëput nga interesa kulte. Një lëvizje që nuk ka bërë transparente as qëllimin për çfarë është krijuar dhe as si financohet apo se kush janë këta dorëlëshuar që nuk kursehen të hedhin paranë kaq lehtë pa përfituar diçka në këmbim. Ka zgjedhur rrugën e saj tashmë dhe nderi më i madh që na bëri është se na tregoi se kush është në të vërtetë”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post