Partia Demokratike ka shkuar sot në Thumanë dhe prej andej ka hedhur akuza kundër qeverisë për sa i përket procesit të rindërtimit pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019.
Sekretari për Çështjet Ligjore, Çlirim Gjata u shpreh se qeveria është nuk interesohet për sigurinë e shkollave dhe për këtë mori shembull godinën e shkollës “Ramazan Jangozi”, e cila u shemb nga tërmeti.
“Sigurisht që “Hajdutët e Fatkeqësive” nuk kanë lëvizur asnjë gisht për të bërë drejtësi për këtë ngjarje. Madje, ata janë angazhuar duke lëvizur çdo gurë për të bërë të mundur zvarritjen e hetimeve. E merrni dot me mend se çfarë tragjedie do të kish qenë nëse një tërmet i ngjashëm do të kishte rënë gjatë orëve të paradites, ku të gjithë fëmijët e shkollës “Ramazan Jangozi”, të gjendeshin në klasat e tyre?”, tha zyrtari PD.
Më tej ai u shpreh se pak muaj para tërmetit të 26 nëntorit, shkolla u rikonstruktua. “Për të u harxhuan 587 milion lekë nga taksat e qytetarëve. Pak javë më vonë, tërmeti nxorri në pah vjedhjen me shkollën. Tregoi se ne drejtohemi nga hijena që nuk duan t’ia dinë për sigurinë e fëmijëve, por duan vetëm të vjedhin në çdo kohë e në çdo vend, deri te shkollat dhe kopshtet e fëmijëve”, vijoi ai.
Po ashtu ai hodhi akuza se rrënojat e shkollës u zhdukën brenda natës për të mos lënë gjurmë.
“Shkolla u rrafshua brenda natës nga fadromat, në mënyrë që nga vjedhja e fondeve dhe abuzimit skandaloz kriminal të mos ngelej gjurmë, duke zhdukur vjedhjen. Kështu, 587 milion lekë avulluan vetëm 3-muaj pas rikonstruksionit”, u shpreh Gjata.
Sekretari për Çështjet Ligjore në PD tha se fondet po vidhen sërish dhe prioritet e qeverisë së Ramës janë vjedhjet e fondeve.
“Fondet po vidhen sërish, sepse “Hajdutët e Fatkeqësisë” janë të pangopur. Ata kërkojnë që milionat të zhvaten sërish dhe rindërtimi i shpejtë i shkollës nuk është aspak prioritet i kësaj qeverie. Që dikush të vjedhë disa miliona lekë, pushtetarët e sotëm në Tiranë dhe në Krujë bëjnë gjithçka munden, por veç për fëmijët që bëjnë kilometra të tërë për të shkuar në një shkollë tjetër, nuk mendojnë”, u shpreh Çlirim Gjata.
Diskutime rreth kësaj post