Sherret dhe hatërmbetjet mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste duket se janë zhvendosur edhe në rrafshin diplomatik, pasi ditët e fundit kemi një ndarje PD-PS, sa i takon marrëdhënies me ndërkombëtarët.
Gazeta e deklaroi dy ditë më parë se kryeministri Edi Rama është rreshtuar krah amerikanëve dhe ka braktisur kështu gjermanët, në këmbim të kësaj aleance të re. Më konkretisht, Rama është rreshtuar krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës me vendimin për të refuzuar rrjetin 5G të Kinës, në një kohë që Gjermania e ka pranuar.
Ndërkohë që një tregues që dëshmon se Rama është disi i “përkëdheluri” i amerikanëve është qasja e ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim. Kjo e fundit u tregua tepër e butë me ndryshimet kushtetuese, pasi reagimi i saj ishte “surprizë” dhe hapur pro qeverisë, edhe pse opozita jo parlamentare dhe Bundestagu gjerman apeloi që vendimi për të hapur listat dhe hequr koalicionet duhet të ishte konsensual. Pra, dukshëm dhe qartë ambasadorja Kim e mbështeti mazhorancën socialiste, e cila tashmë po forcon marrëdhëniet me presidentin Trump dhe ka nisur krisjet me Merkel.
PD kundër dialogut Kosovë-Serbi
Por rreshtimin e Ramës krah amerikanëve, duke se e ka shfrytëzuar më së miri kryedemokrati Lulzim Basha, i cili ka dalë hapur krah gjermanëve. Basha ka përdorur dialogun Kosovë-Serbi për të treguar simpatinë e tij që ka për shtetin që drejtohet nga kancelarja Angela Merkel. Ka qenë Martin Henze, këshilltar i zoti Basha, i cili ka komentuar një deklaratë të bërë nga ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell. Ky i fundit është i ngarkuar edhe për dialogun Kosovë-Serbi, i cili është shprehur i lumtur për takimin që pritet të mbahet mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, në 2 shtator.
“Ne jemi të lumtur të njoftojmë se liderët e Kosovës dhe të Serbisë do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për një bisedim në 2 shtator”, – shkruan Grenell në një postim në rrjetet sociale.
Por kjo gjë duket se nuk është kapërdirë dot nga Basha, i cili për të treguar se është pro Bundestagut, ka kundërshtuar mbajtjen e takimit përmes “gojës” së këshilltarit të tij gjerman. Përmes një komenti në postimin e Grenell, Henze thekson se është kundër mbajtjes së dialogut Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë.
“Qëndroni jashtë kësaj dhe na dëgjoni më shumë. Ne gjermanët dhe republikanët e SHBA përfshirë Donald Trump, jemi miq, ju e dini se komunistët janë një “Jo” për ne. Vuçiç, Rama dhe Putin nuk janë partnerë për Perëndimin”, shkruan mes të tjerash këshilltari gjerman i Bashës, Martin Henze. Pra e gjithë kjo tregon se pas Gjermanisë, e cila e kundërshton fort që aktor kryesor në dialogun Kosovë-Serbi të jenë amerikanët edhe Partia Demokratike e kërkon një gjë të tillë.
Basha del hapur krah gjermanëve
Megjithatë rasti i kreut të PD, Lulzim Basha, i cili po shfrytëzon aleancën e re Rama-SHBA për të fituar “zemrën” e gjermanëve nuk është “surprizë”. Pas djegies së mandateve dhe daljes në rrugë, kryedemokrati Basha ka intensifikuar takimet me diplomatët gjermanë, madje në disa raste shefi i selisë blu ka sulmuar kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë përmes tyre.
Basha ia ka bërë të qartë mazhorancës socialiste se nuk do t’i njohë ndryshimet kushtetuese, duke përmendur edhe deklaratën e gjermanëve, të cilët dolën kundër atyre. Ndërkohë që fakti tjetër që tregon se shefi i selisë blu ka dalë hapur krah gjermanëve, është se ai ka pasur disa dreka me ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf. Po ashtu, Bundestagu ka dalë edhe kundër Tiranës zyrtare sa i takon negociatave, pasi ka qenë pikërisht ai që nxiti dhe vendosi 15 kushtet për Shqipërinë.
Kështu që të gjitha këto qasje dhe zhvillime, tregojnë se Basha tanimë është më afër Bundestagut e më larg Uashingtonit, duke qenë se drejt këtij të fundit po rend kundërshtari i tij, kryeministri Edi Rama. Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se si do të vijojnë këto marrëdhënie në aspektin ndërkombëtar.
Diskutime rreth kësaj post