Partizani ndodhet në vend të dytë në kampionat, pas Vllaznisë, plot 9 pikë prapa, por në një kampionat ku formula lejon shumë duele direkte dhe ka të papritura, mund të besohet se të kuqtë janë plotësisht në lojë. Mbeten dhe 20 javë garë, kështu që ekziston mundësia teorike dhe praktike që Partizani ta përmbysë Vllazninë në sfidat e ardhshme. Por që të ndodhë kjo duhet që “demat” të fitojnë një kryeduel, që është ai i përplasjes direkte ditën e dielë, në kuadër të javës së 17-të të Kategorisë Superiore.
Ndeshja do të luhet me shumë gjasë në kryeqytet, ndërkohë që Partizani ka vetë,m një objektiv, fitoren. Çdo rezultat tjetër do të ishte dëshpërues për të kuqtë dhe do të shkonte në favor të Vllaznisë, e cila do të kënaqej në këtë takim edhe me një barazim, pasi kështu mbante të paprekur diferencën me ndjekësit dhe do të hidhte një hap të mirë drejt objektivave të saj.
Përgatitjet e “demave” për kryeduelin e kampionatit.
Në sport, ashtu si në jetën e përditshme, fati të jep mundësinë e rikuperimit dhe pastaj gjithçka varet nga ajo që ti jep. Kjo situatë po ndodh me Partizanin që sezonin e nisi me një goditje të madhe, teksa iu bllokua merkato dhe duhet të bënte pa një nga lojtarët kryesorë, Eraldo Çinarin. Megjithatë ja ku jemi dhe java e 17 e Superiores është si një asist për “të kuqtë”, që në përballjen me Vllazninë ka mundësinë të rikuperojë dhe të hedhë sfidën për titullin. Me një trajner ekspert në stol, por mbi të gjitha me krahët e entuziazmit që solli hapja e merkatos, firma me emra shumë të rëndësishëm dhe mbi të gjitha triumfi në derbi, kanë bërë që tek Partizani të ëndërrojnë trofeun e madh.
Nëntë pikë diferencë janë shumë, por edhe pak. Janë shumë sepse Vllaznia ka treguar stabilitet në lojë dhe rezultate, çka i mungon Partizanit deri më tani. Janë pak sepse janë 3 përballje direkte bashkë me këtë të së dielës dhe lehtësisht të rikuperueshme. Është e vështirë të mendosh që përveç sfidave ndaj njëra-tjetrës këto dy ekipe nuk do gabojnë, por për kryeqytetasit është shumë e rëndësishme të fitojnë këtë akt të parë drejt rikuperimit të pikëve. Edhe pse në merkato të kuqtë kanë qenë aktivë, trajneri Ilir daja duhet të bëjë llogaritë me gardën e vjetër, ose më mirë me lojtarët që ka patur në dispozicion, pasi edhe Valentino Murataj nuk do të jetë për shkak kartonësh.
Përveç entuziazmit që kanë, në favor të 16 herë kampionëve të vendit është edhe fakti që nuk kanë shumë presion, pasi janë skuadra që në këtë duel nuk kanë çfarë humbasin, por vetëm të përfitojnë. Me një sukses edhe gara do të bëhej më interesante dhe zyrtarisht Partizani do të konsiderohej si rivali kryesor i shkodranëve në garën për titull
Daja dhe Rama entuziastë për ecurinë e Partizanit.
Trajneri Ilir Daja dhe drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, janë treguar entuziastë për ecurinë e partizanit dhe ky optimizëm është shtuar së tepërmi ditët e fundit pas ardhjes zyrtarisht tek të kuqtë e sulmuesit tetovar Ferhan Hasani, i cili është i sprovuar dhe me përvojë ndërkombëtare. Rama e prezantoi atë me pompozitet, sidomos me vlerë kur e mendon që lojtari ishte planifikuar të luante me ngjyrat e rivales së qytetit, Tiranës. Por në momentin e fundit sulmuesi zgjodhi të veshë fanellën e kuqe, duke i mbyllur dyert bardhebluve.
Ky përforcim cilësor mund të rezultojë vendimtar për objektivin e të kuqve në treg dhe një lëvizje e tillë ka sikletosur edhe Vllazninë, e cila, në kushtet kur rivaliteti po bëhet gjithnjë e më i madh, ka tentuar të bëjë blerje cilësore për të rriture forcën e saj në pjesën e dytë të sezonit. Pra rivaliteti do të jetë shumë i madh dhe Partizani e ka kuptuar që presioni është tek Vllaznia, kurse “demat” karakterizohen nga 1qetësia dhe kanë shanse që këtë herë ta mundin Vllazninë në një duel direkt dhe një fitore do ta shkurtonte diferencën në 6 pikë, praktikisht do ta bënte garën të hapur dhe më shumë interesante në aspektin e rivalitetit.
Diskutime rreth kësaj post