Reforma në drejtësi ka shënuar dje 5-vjetorin e saj, por partia e cila është më e shqetësuara nga të gjithë është Lëvizja Socialiste për Integrim. Dje u bë një aktivitet në nder të kësaj reforme dhe u vlerësuan arritjet e saj, por partia e presidentit ka dalë kundër. Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili ka shpërthyer në sulme e akuza të shumta ndaj këtij procesi.
“Me reformën në drejtësi janë të lumtur vetëm rilindasit, që e kapën dhe aspak qytetarët! Dhjetëra e dhjetëra mballoma të shëmtuara propagandistike vetëm sa po nxjerrin sheshit, dështimin e reformës në drejtësi dhe asgjë më shumë se kaq. Qytetaret janë tepër të dëshpëruar dhe shumë të zhgënjyer, sepse s’po marrin drejtësi dhe në vend të përmirësimit shohin një përkeqësim të vazhdueshëm dhe ky është fakt, qe nuk mbulon dot aspak propaganda hipokrite e ditës. Mijëra qytetarë nuk do mund të marrin drejtësi në gjalljen e tyre dhe ky është fakt që gjithashtu propaganda nuk e mbulon dot. Kapja e drejtësisë nga rilindja është fakt dhe familjarë, miq e shokë rilindas kane ndërtuar një detashment, që është shtrirë në çdo institucion të të ashtuquajturës drejtësi të re nga kreu gjer ne fund”, tha ai.
Sipas Vasilit, problemet e rënda të reformës nuk i zgjidh dot propaganda staliniste, që flet për njerëz pro dhe kundër reformës në drejtësi. Por duket se ky mesazh shkon për ambasadoren e SHBA, e cila tha dje se ka shumë që nuk e duan reformën dhe po tentojnë ta pengojnë atë.
“Pandëshkueshmëria është kthyer në institucion që mbron Kryeministrin, qeverinë dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Çështje tronditëse si Teatri, 130 milionë eurot e Becchetit, Inceneratorët etj., kanë fajtorë të qartë Kryeministrin, qeverinë e Bashkinë e Tiranes, por këta nuk ndëshkohen kurrsesi dhe bile u bëjnë edhe moral të tjerëve. Drejtësia me regji funksionon haptas në funksion të Kryeministrit dhe interesave të tij dhe bën sikur funksionon me ngjarje periferike sa për të ushqyer propagandën e qeverisë, por nuk lëviz gishtin e nuk guxon të veprojë ndaj tyre”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post