Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho, ka kritikuar ashpër Komitetin Teknik dhe menaxhimin e pandemisë në Shqipëri. Gjatë një interviste televizive ai shprehet se Komiteti zgjodhi strategjinë e gabuar për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Sipas tij izolimi i vendit për plot tre muaj ishte i tepërt. Si ekspert shëndetësie ai shprehet se mjaftonte karantinimi për vetëm një muaj.
“Unë nuk kam arritur të kuptoj strategjinë e Komitetit. Kam parë mungesë strategjie. Vende të ndryshme patën reagime të ndryshme. Në shkurt ose mars u pa se ishin dy strategji, ose përhapja sa më e ngadaltë, duke mos lejuar shpërthimet, ose përpjekja për të eliminuar totalisht virusin, pra jo ekzistent në një shoqëri. Unë nuk i di rregullat e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, por kam komentuar në lidhje me atë që quajmë karantinë. Për mendimin tim në prill dhe maj kanë qenë të tepërta, mjaftonte marsi për të parandaluar përhapjen. Duhet të ketë një lidhje mes masave të jashtëzakonshme dhe kufizuese dhe mosshtyrja e gjendjes së jashtëzakonshme është vendim i mirë. Sëmundjen tashmë e njohim, është bërë e zakonshme”, – deklaroi ai.
Më tej ai thotë se Komiteti nuk ka pasur ekspertët që i nevojiten në këto raste, por një ekspert ka bërë role të dyfishta dhe pikërisht kjo ka sjellë probleme. Prandaj, sipas tij, edhe vendimet kanë qenë më pak efecientë.
“Unë e kam ndarë në dy grupe. Grupet e politikanëve dhe ekspertëve. Eksperti nuk është gjitholog. Dëmton në mënyrë indirekte shëndetin e popullit. Komiteti i Ekspertëve kur përballet me këtë në kufijtë e emergjencës kombëtare, duhet të japësh ekspertizën e fushës tënde të ngushtë. Eksperti shprehet në fushën e vet të kompetencës. Sa më e ngushtë fusha, aq më shumë ndihmon. Statisticieni i vendos po ashtu të dhënat. Kështu dhe virologu, imunologu. Këto specialitete i munguan Komitetit të Ekspertëve. Një pjesë e madhe politike dhe administrative. Pra e disbalancuar. Shumë pak ekspertë”, – tha ai.
Sakaq Dasho vuri në dukje edhe mungesën e testeve në Shqipëri në raport me vendet e tjerat të prekura nga koronavirusi. Ai tha se Shqipëria i ka mundësitë, por nuk i ka shfrytëzuar.
“Po ashtu dua të them që Shqipëria është vendi fundit në Europë sa i përket testimeve për 1 mijë banorë. Kjo është e pafalshme pasi jo që ne nuk i kemi mundësitë, por nuk luftohet me atë epidemiologun me çantë që shkon shtëpi më shtëpi për të gjurmuar rastet. Duhen testime, edhe bota ka hapur çadra për të testuar popullatën”, tha Dasho.
Diskutime rreth kësaj post