Shfaqja e subjekteve të reja në skenën politike, duket se nuk do t’ua bëjë të lehtë partive tradicionale fitoren e zgjedhjeve parlamentare të dielën e 25 prillit të vitit 2021.
Shumë qytetarë janë të pakënaqur si me Partinë Socialiste, ashtu edhe me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Prandaj sipas llogaritjeve krahasuar me votat e zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës, tre partitë e mëdha, pra PS nga njëra anë dhe PD-LSI nga ana tjetër nuk mund të mos e formojnë të vetme qeverinë. Kështu që duke parë situatën, gjasat janë që partitë e mëdha të formojmë qeverinë pas 25 prillit, vetëm nëse bashkëpunojnë me partitë e reja.
4 parti të reja synojnë elektoratin e djathtë
Po kush janë partitë e reja që kanë në dorë fatet e partive të mëdha tradicionale dhe për rrjedhojë edhe krijimin e qeverisë së ardhshme? Bëhet fjalë për katër subjekte, të cilat kanë lindur e dalë nga “barku” i Partisë Demokratike dhe që synojnë që të marrin vota nga elektorati i djathtë. Kështu e para është Bindja Demokratike. Kjo parti ka kryetar të saj ish-nënkryetarin e PD, Astrit Patozi, ndërkohë që pritet t’i prishë punë Partisë Demokratike, pasi do të marrë vota nga elektoratit i saj. Referuara zgjedhjeve vendore të vitit 2019, BD e Patozit mori plot 20 mijë vota dhe nëse shikojmë trendin që shumë qytetarët, madje edhe militantë të partive të djathta që janë të zhgënjyer nga to, pritet që një pjesë e votave të shkojnë për Bindjen Demokratike. Ndërkohë partia e dytë që synon elektoratin e djathtë është Lëvizja Demokratike Shqiptare, e cila është krijuar nga një grup deputetësh të opozitës që refuzuan të digjnin mandatet siç ua kërkoi PD dhe që drejtohet nga Myslim Murrizi. Edhe kjo parti ashtu sikundër BD, votat që pritet të marrë janë të djathtë, ku më shumë ka për t’ia marrë Partisë Demokratike, sidomos në zonën e Fierit dhe Lushnjës, ku Murrizi ka popullaritet dhe është aktualisht deputet. Ndërsa partia e tretë që synon elektoratin e djathtë është Nisma “Thurje”, e cila ka si pjesë të saj disa të rinj dhe deputeten e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari. Edhe kjo parti ashtu sikundër Lëvizja Demokratike Shqiptare votat që pritet të marrë janë të djathta, ku më shumë ka për t’ia marrë PD-së.
Dhjetëra demokratë bashkohen me Topallin
Por tre partitë e sipërpërmendura nuk janë të vetmet që synojnë elektoratin e djathtë, pasi një tjetër parti pritet që të çajë opozitën. Bëhet fjalë për Lëvizjen për Ndryshim, e cila u lançua të mërkurën që lamë pas dhe që ka si kryetare ish-kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, njëherësh ish-nënkryetaren e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli. Kjo e fundit është një politikane me influencë e karizmatike që gëzon popullaritet në Shqipëri dhe pritet që shumicën e votave ta marrë nga PD-ja dhe elektorati i djathtë. Madje, referuar mbështetjes që zonja Topalli ka, Veriu dhe sidomos Qarku i Shkodrës do të jetë një nga hambarët që pritet të çojë vota tek Lëvizja për Ndryshim. Mirëpo, për të treguar që ish-numri 2 i Partisë Demokratike ka mbështetje, është edhe fakti se me dhjetëra demokratë i janë bashkuar nismës së saj. Të mërkurë kur u prezantua si parti, ra në sy që shumë demokratë të zhgënjyer iu bashkuan LN, ndërkohë që gazeta ka mësuar edhe disa nga emrat që janë atashuar pranë kësaj partie. Mes emrave që i janë bashkuar partisë së Topallit, janë pedagogu i Universitetit të Elbasanit Evald Serreqi, Niketa Mehmeti diplomuar në Milano, Melisa Braci apo mjekja Adela Kryeziu dhe gazetarja Najada Selmani. Pra, këto katër parti pritet që të vendosin në vështirësi opozitën sa i takon zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të vitit 2021. Po ashtu, një problem më vete për opozitën, por edhe mazhorancën socialiste pritet të jenë edhe kandidatët e pavarur, që mund të garojnë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.
Diskutime rreth kësaj post