Ish-deputeti i Partisë Demokratike, njëherazi edhe përfaqësuesi i kësaj partie në tryezën e Këshillit Politik, Oerd Bylykbashi ka komentuar dje aktualitetin politik, ndërsa e ka ndalur theksin tek reforma zgjedhore dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 25 prillit 2021.
Duke u ndalur tek kandidatura e kryeministrit Edi Rama, Bylykbashi deklaroi gjatë një prononcimi për mediat se ai kthehet në qytetin e Durrësi për të mbledhur ushtrinë e shpartalluar të ish-kryebashkiakut socialist, Vangjush Dako. Madje, zoti Bylykbashi ka ftuar qytetarët në Durrës që t’i japin “kusurin” Ramës në zgjedhjet e ardhshme.
“Edi Rama po vjen në Durrës. Durrsakët kanë mundësinë e jashtëzakonshëm për t’i dhënë kusurin Edi Ramës. Unë besoj që do jem në Durrës. Procesi është i lidhur me këtë. Duhet t’i japin kusurin për 20 vite qeverisje vendore nga kryebashkiakët socialistë në Durrës. Grabitje, katrahurë. U janë prishur shpitë dhe nuk kanë marrë gjë. Sot Edi Rama vjen për të fshehur Vangjush Dakon që ka një deklaratë të jashtëzakonshme për të. Kriminelët se ça kanë bërë”, – deklaroi ai.
Më tej Oerd Bylykbashi, anëtar i Këshillit Politik ku përfaqëson Partinë Demokratike, është shprehur se opozita pret që të fitojë 84 mandate në zgjedhjet e ardhshme të 25 prillit 2021. Në këtë kontekst, ish-deputeti demokrat shtoi se asgjë nuk është e pamundur dhe se kryeministri Edi Rama e di që do të humbasë thellë.
Sipas tij, cilado skemë e përdorur në zgjedhjet elektorale nuk do ta shpëtojë kryeministrin Edi Rama nga humbja.
“Rama po përpiqet të humbasë sa më pak. Nëse opozita do të fitonte 84 mandate do ndryshonte ligjet. Asgjë nuk është e shkruar se këtë i opozita nuk i merr. Edi Rama është drejt humbjes. Çështja është sa do humbasë. Nuk është sistemi që do e shpëtojë Edi Ramën. Strategjitë elektorale janë aty si të dojë. PD i tha si e do? Dhe kështu do të ndodhë. Me çdo sistem që vendos do të fitojë opozita. Koalicioni është i përputhshëm me listat e hapura. Nuk ka asnjë rekomandim kundër koalicioneve nga OSBE/ODHIR. Ka funksionuar. Ka fituar Sali Berisha dhe ka fituar edhe Edi Rama me këtë koalicion. Është një përpjekje e Ramës për të shpërndarë mandatet”, – nënvizoi Bylykbashi.
Diskutime rreth kësaj post