Deputeti Lefter Maliqi ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, Reformën Zgjedhore si dhe zërat për ndryshimin e sistemit politik. I ftuar në FaxNews Maliqi tha se Rama ka kapur sistemin e drejtësisë, dhe tashmë po merr peng edhe Reformën Zgjedhore, ndërsa shton se duhet të jenë ndërkombëtarët ata që të vendosin pikat mbi ‘i’ dhe të mos lënë më çështje pezull.
“Fat i madh imi është që u bëra 15 vite në politikë, meqenëse e njoha dhe nga afër Ramën, i cili për pushtet në momentin që do votën është i aftë që të bëjë pakt me djallin. Unë e kam thënë që Rama është shejtan budalla, se çfarë takimi bëri ai të premten në darkë në Francë unë nuk e di. Unë e di që opozita e bashkuar që nesër po të bëhen zgjedhjet i fiton ato, për shkak se zhgënjimit shumë të madh që kanë socialistët nga kjo qeveri.
Ambasadorja amerikane është një diplomate e njohur, dhe mirë është që të jetë e drejtpërdrejtë, pasi dihet qëndrimi që kanë shqiptarët në mbështetje të amerikanëve. Ka ardhur koha që faktorët ndërkombëtarë të vendosin pikat mbi ‘i’, të jeni të bindur që njeriu që do të mbajë peng Reformat është ky. A e emëroi Rama prokurorin, po kreu i ILD-së, po Dvorani, po kjo luftë e fundit për Gjykatën Kushtetuese, ky nuk e ka personale me presidentin, e ka kushtetuese dhe politike.
Presidenti e njeh mirë Ramën dhe politikën, është e vetmja shpresë që ne kemi për të mbrojtur Reformën në Drejtësi, nëse kapet Gjykata Kushtetuese atëherë gjithçka ka marrë fund. Forcat RENEA që u përdorën ndaj artistëve janë vepër penale, dhe nesër nëse ka një drejtësi do të vihen para ligjit.
Këshilli Politik është formal, Gjiknuri është një kukull e Ramës atje, PD duhet të kërkojë hapur ndryshimin e sistemit. Të jeni të bindur se për të gjitha çështjet e tjera Rama nuk është dakord. Tymin e bardhë mund ta sjellin vetëm shqiptarët, pasi ky nuk ikën nga pushteti ndryshe. Ky nuk iku si kryetar Bashkie, u desh ndërhyrja e ambasadorit Arvizu që të numëronte votat. Ky edhe policinë po e kthen si në Turqi”, – u shpreh Maliqi.
“Këtu kemi një shtet policor, dhe i kërkohet instalimi i diktaturës. Shtatori do të sjellë një revolucion demokratik, opozita e bashkuar fiton zgjedhjet, vetëm në këtë mënyrë demokracia mund të shtrihet në të gjithë hapësirat e tjera. Ky ikën vetëm me dhímbje”, – tha më tej Maliqi.
Diskutime rreth kësaj post