Nuk kanë të sosur telashet për ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku. Pa kaluar shumë kohë nga lehtësimi i masës së sigurisë nga arrest me burg në detyrim paraqitjeje për shkaqe shëndetësore, policia kërkon hetimin e tij për dyshimet se ka pastruar para.
Burimet policore kanë thënë për Top Channel se verifikimet pasurore ndaj Kajmakut janë kryer në bashkëpunim me seksionin kundër pastrimit të parave, pasi siç sqarohet dyshohet për transaksione të larta dhe që duhen rikontrolluar nga hetimi i akuzës.
Dyshohet se Kajmaku dhe bashkëshortja disponojnë llogari bankare në vlerën e rreth 103 milionë lekëve dhe rreth 192 mijë euro të akulumuara nga depozitimet cash dhe burime të vetëdeklaruara nga biznesi që dyshohen të pajustifikuara nga fitimet e aktivitetit tregtar.
Nga informacioni i administruar nga ILDKPI-ja shtoi i njëjti burim policor, ish-kryetari i bashkisë ka deklaruar të ardhurat si subjekt i ligjit, të ardhura nga shitja e koutave të blera nga familjari, burimi financiar i të cilave është i panjohur sipas dokumentacionit.
Kajmaku përfundoi i pandehur për falsifikim dokumentesh, ndërsa më herët KQZ-ja i kishte ndërprerë mandatin, pas denoncimeve të PD-së për fshehje të të shkuarës në Greqi, ku rezultonte i arrestuar për përdorim të monedhave false. Pala greke njoftoi Shqipërinë se Gjykata e Apelit në Janinë e kishte shpallur të pafajshëm. Ndërkohë që dënimin e shkallës së parë e kishte marrë nën emrin Jorgo Toto, por nuk e kishte deklaruar në formularët e vetëdeklarimit.
Diskutime rreth kësaj post