Avokat Spartak Ngjela ka ripërsëritur edhe një herë ditën e djeshme se reforma në drejtësi e sidomos ngritja e SPAK ka tmerruar politikanët shqiptarë. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, avokati i njohur theksoi se amerikanët janë në dijeni të aferave të pushtetarëve të korruptuar, ndërsa theksoi se pritshmëritë e qytetarëve janë të larta për SPAK.
Sipas tij, SPAK do t’i hetojë të gjithë dhe do t’iu shkulë “dhëmbët” të korruptuarve duke iu kërkuar llogari për pasurinë.
“Veprim të shpejtë antikorrupsion! Politika amerikanë nuk të lutet, nuk të çon nga çadra në Parlament me gjuhë diplomatike, kanë nxjerrë dokumentet sepse këta nuk nënshtrohen pa nxjerrë dokumentet. Shqiptarët po presin me ngulm SPAK-un, presin goditje penale. Propaganda, faktet dhe mënyra sesi kanë vepruar me korrupsionin e kanë parë që janë hajdute. Këta bëjnë pallate, vila, budallenj i dini njerëzit?! Këta thonë ma dhuroi xhaxhai, duhet të provosh që me rrogën ke bërë këtë biznes”, deklaroi ai.
Më tutje, avokat Spartak Ngjela shprehu bindjen se politikanë shqiptarë nuk e bllokojnë dot punën e SPAK, ndërsa theksoi se amerikanët kanë zbuluar paratë e fshehura në parajsa fiskale nga të korruptuarit dhe inkriminuarit.
“Nuk e bllokojnë dot SPAK, nuk janë profesionistë, lind problemi se çfarë do të bëjë SPAK?! Ka një angazhim denoncimesh që nuk janë në optikën e institucioneve. Gjithçka do të varet nga denoncimet, duhet të presim kur të fillojë gjetja e parave të korrupsionit në bankat offshore. Sipas të dhënave të mia i kanë gjetur, kemi një mori të madhe ngjarjesh që presin”, u shpreh ai.
Ndërkohë, avokat Spartak Ngjela ka folur edhe për marrëveshjen e reformës zgjedhore mes PS-PD.
“Marrëveshjet nuk janë puthje, bëhen gjithmonë për një të përbashkët. Gabimi politik i Bashës a korrigjohet me këtë apo jo?! Ku shkove, asgjëkund, ku u ktheve, aty ku ishe. Të zhgënjyer dhe të mashtruar kanë dalë përkrahësit të cilët mendonin se lëvizja bëhej për të rrëzuar qeverinë. Nuk e bllokuan dot Reformën në Drejtësi. SPAK doli, me shumë vështirësi, por doli. Zgjedhjet nuk mund të jenë para 2021, sepse ndërkombëtarët nuk mund të pranojnë zgjedhje pa Reformë në Drejtësi. Po të kishte pushtet gjyqësor Shqipëria, asnjëri nuk do të ishte në politikë. Këta kanë bllokuar sistemin me forcën e tyre sepse nuk lejojnë zgjedhje të lira”, nënvizoi Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post