Bashkimi Europian ka ripërsëritur edhe njëherë thirrjet ndaj qeverisë dhe institucionet ligjzbatuese në vendin tonë për të shtuar luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si e vetmja rrugë për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të vendit tonë. Sot që flasim Shqipërisë i janë hapur negociatat, ndërkohë që Tirana zyrtare ka nisur hapjen e kapitujve 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me drejtësisë. Por për t’i kujtuar detyra e shtëpisë Tiranës zyrtare, dje ka ardhur një apel edhe nga ambasadorja e BE në vendin tonë, Christiane Hohmann.
Kjo e fundit teksa ditën e djeshme ishte e pranishme në ceremoninë e hapjes së edicionit të 7 të Shkollës së Integrimit Europian, u shpreh se Shqipëria duhet të dyfishojë përpjekjet për t’u integruar në Bashkimin Europian, tashmë që janë hapur edhe negociatat. Prerë dhe qartë diplomatja Hohmann kërkoi që Shqipëria të thellojë reformat dhe plotësojë kushtet e vendosura nga Brukseli, sikundër njëri prej tyre është, çuarja para drejtësisë e politikanëve të përfshirë në afera korruptive dhe kriminale. “Jo vetëm që kemi filluar negociatat por përpara 10 ditësh pata mundësinë të prezantoja raportimin e KE për Shqipërinë. Me negociatat ne kemi filluar atë që njihet si procesi i analizës legjislative. Kjo është edhe faza e parë prandaj dhe ju do shihni këto faza të procesit. Proces i anëtarësimit në BE është shumë më shumë se sa procesi teknik, është një proces që duhet të përfshihet e gjithë shoqëria. Të gjithë duhet ta kuptojnë se çfarë po ndodh. Duhet parë se çfarë duhet bërë më tepër me reformat dhe prandaj raporti vjetor për Shqipërinë është i rëndësishëm. Të gjithë mund të shikojnë se çfarë ka ndodhur”, deklaroi ajo.
Progres-raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë
Duke folur për progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, ambasadorja e delegacionit të BE theksoi se duhet të ketë udhëheqje të fortë politike në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. “Ajo që shikojmë në raport është shqyrtuar axhenda e reformave, ecuria e Shqipërisë. Ju keni lexuar që vlerësimi i përgjithshëm është që Shqipëria ka vijuar të përqendrohet tek axhenda e reformave në BE. Por ato detyra që janë formuluar në raport duhet që të merren përsipër me përgjegjshmëri jo sa i përket zbatimit, por një proces i tërë që është e përfshirë jo vetëm qeveria, por edhe shoqëria civile, edhe kuvendi, edhe opozita. Presim të ketë udhëheqje të fortë politike sa i përket kësaj axhende dhe që vendi të drejtohet për të ecur sa më shpejt që të jetë mundur”, u shpreh ajo.
Liria e medias
Ndërkohë, ambasadorja Hohmann përmendi edhe lirinë e fjalës, si një aspekt për të cilin tha se është bërë shumë pak përparim dhe që duhet të përmirësohet. E në këtë aspekt, Shqipëria duhet të punojë akoma më shumë për të plotësuar reformat e nevojshme. “Ka dhe fusha ku ka patur pak ecuri ose aspak, që është liria e fjalës. Pritet mbrojtje më e mirë e gazetarëve, të fuqizohet pavarësia e transmetuesit publik, si dhe qëndrueshmëria financiare në sektor. Nuk ka hapësirë këtu për interpretim pasi hapësirat janë bërë të qarta. Por në këtë fazë që ne jemi BE pret që Shqipëria të ridyfishojë përpjekjet e veta për të trajtuar këto reforma kyçe, por edhe që të sjellë në tryezë të gjithë aktorët e rëndësishëm, edhe nga shoqëria civile. Nga ky këndvështrim, Shkolla e Integrimit Evropian është për të rritur ndërgjegjësimin”, nënvizoi ambasadorja e BE në vendin tonë, Christiane Hohmann.
Diskutime rreth kësaj post