Partia Socialiste dhe Partia Demokratike pritet të përfshihen nga ndryshime rrënjësore në fund të muajit gusht. Edhe pse arriti të fitonte një mandat të tretë qeverisë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar spastrime brenda PS, ndërkohë që të njëjtën skemë pritet të aplikojë edhe kryedemokrati Lulzim Basha, duke përmbysur disa nga postet kyçe brenda PD-së.
Por gazeta ka mësuar detaje të reja nga zhvillimet në kapin rozë dhe blu, teksa në fund të muajit tjetër do të nisë një furtunë në Kryesinë dhe sekretariatet e Partisë Socialiste, ndërsa në Partinë Demokratike priten ndryshime në radhët e nënkryetarëve të partisë dhe jo vetëm.
PD, ndryshime rrënjësore
Kështu, sipas informacioneve, mësohet se pas zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Kombëtar, posti i dy nënkryetarëve të PD pritet të ketë emra të rinj. Aktualisht nënkryetarë janë Edi Paloka dhe Edmond Spaho. Mirëpo siç e do tradita, çdo katër vjet nënkryetarët ndryshojnë edhe zoti Paloka dhe Spaho, iu duhet të largohen, duke iu hapur rrugë emrave të rinj. Po ashtu, mësohet se edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike pritet të ketë emër të ri, ku Gazment Bardhit, i duhet t’i lërë vendin një demokrati tjetër për të drejtuar këtë post kaq të rëndësishëm në PD.
Po ashtu, mësohet se këto ndryshime zoti Basha pritet t’i aplikojë në Partinë Demokratike edhe për faktin se disa nga drejtuesit kryesorë nuk morën rezultat të kënaqshëm në zgjedhjet e 25 prillit dhe për arsye se PD ka hyrë në një fazë zgjedhjesh e analize të brendshme. Nga ana tjetër, pritet që edhe anëtarët e Kryesisë së Partisë Demokratike të ndryshojnë, si dhe kreu i Këshillit Kombëtar të PD, post të cilin e mban aktualisht ish-presidenti Bujar Nishani.
Valë spastrimesh edhe në PS
Por përveç Partisë Demokratike edhe Partia Socialiste pritet të përfshihet nga një valë spastrimesh. Në fund të muajit gusht PS do të mbledhë Asamblenë Kombëtare, nga ku do të hidhen edhe piketat e para të qeverisë dhe do të mësohet pasuesi i Gramoz Ruçit si kryetar Kuvendi. Mirëpo, nëse bëhet realitet ëndrra e Taulant Ballës për të qenë pjesë e qeverisë së re “Rama 3”, socialistëve iu duhet që të zgjedhin edhe pasuesin e tij në krye të grupit parlamentar dhe pse jo edhe si Sekretar të Përgjithshëm të PS.
Nga ana tjetër dhe në kushtet kur shumë nga anëtarët aktualë të Kryesisë së PS nuk arritën të zgjidhen dot deputetë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit edhe ky organizëm do të përfshihet nga ndryshimet rrënjësore, së bashku me sekretariatet. Ndërkohë, gazeta ka bërë edhe një vëzhgim të situatës brenda PS dhe janë disa emra të njohur që rrezikojnë të largohen nga ofiqet partiake, sikundër është Kryesia dhe sekretariatet e Partisë Socialiste.
I pari që pritet të bëhet “kurban”, pasi nga shtatori i këtij viti nuk do të jetë më edhe deputet, është ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Ndërsa disa emra të tjetër që pritet të largohen nga Kryesia e Partisë Socialiste janë Vasilika Hysi, Eglantina Gjermeni, Vangjush Dako, Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Valentina Leskaj, Ilir Beqaj dhe ish-ligjvënësi socialist, Bashkim Fino, i cili ndërroi jetë.
Diskutime rreth kësaj post