Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka reaguar pas urdhrit të Kryeministrit Edi Rama, i cili lajmëroi qytetarët se çdo ditë nuk do lejohet as lëvizja në këmbë pas orës 18:00. Në një reagim në Facebook, Paloka shkruan se Rama është qesharak dhe i rrezikshëm se ndalon lëvizjen e njerëzve, por nuk mbyll fasoneritë dhe call center-at që krijojnë grumbullime masive.
“Kryeministër qesharak dhe i rrezikshëm! Deri në orën 18.00 lejon lëvizjen e njerëzve, lëvizjen e makinave, grumbullimet masive ne qendrat e punës (fasoneri dhe call centers), shëtitjet në rrugë, por pas orës 18.00, qytetarët nuk lejohen të dalin në këmbë. Dalje paradite dhe karantinë pasdite është një tallje e dhimbshme me jetën e shqiptarëve, për faktin e vetëm se Edi Rama nuk do që të prekë lekët e oligarkëve të vet.
Koronavirusi nuk luftohet vetëm me policë dhe me gjoba ndaj qytetarëve. Karantina nuk funksionon part time. Dikush duhet ti thotë në bunkerin ku është izoluar se virusi nuk infekton part time. Zgjidhja është karantinë e plotë, fillimisht për të paktën 14 ditë, rimbursim i bizneseve, rimbursim i pagave, ushqime për të moshuarit dhe më të varfërit”, – shkruan Paloka.
Bilanci i COVID-19 në Shqipëri ka shkuar në 51 të prekur. Shkon në 7 numri i mjekëve dhe infermierëve të infektuar, nga Spitali i Durrësit dhe spitali “Shefqet Ndroqi”. Disa ditë më parë një prej të prekurve, ndërroi jetë në Spitalin e Durrësit ndërsa deri më tani vatra e të infektuarve është zgjeruar në Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, Durrës, Lushnje dhe Fier. Ndërkohë jeta në vend është paralizuar thuajse totalisht, nuk ka transport publik, po ashtu dhe shumë vende punë janë mbyllur. Shumë qytete janë në ‘shtet-rrethim’ dhe është ndaluar dhe lëvizja e makinave private. Dje është miratuar dhe Akti Normativ, që detyron spitalet private që të jenë në shërbim të shtetit gjatë periudhës së emergjencës dhe kush nuk bindet do ketë gjobë deri në 5 milionë Lekë. Po ashtu gjoba do ketë dhe për ata që thyejnë rregullat e vendosura nga qeveria. E vetmja këshillë e përbashkët e institucioneve dhe mjekëve është që qytetarët të qendrojnë në shtëpi dhe të kenë sa më pak kontakte me të tjerët.
Diskutime rreth kësaj post