Turqia nga e hëna ka rinisur për 10 ditë analizat sizmike për gaz dhe naftë në Mesdheun Lindor, duke irrituar shtetin grek dhe aleatët grekoqipriotë të rajonit.
Rezervat e veta, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i ndau të martën në takimin me kryediplomatin gjerman, Hajko Mass.
Mitsotakis bëri të qartë se pala greke kërkon dialog me Ankaranë por me zhvillimet e fundit, sanksionet ndaj saj duken të pashmangshme.
“Në takimin e fundit të Këshillit Europian, Turqisë i dhamë alternativën të përtërijë raportet me Europën, ose të përballet me pasojat e sjelljes së vazhduar agresive. Për fat të keq, ka bërë zgjedhjen e dytë, dhe nëse kujtoni konkluzionet tona, në rast veprimesh të njëanshme që cenojnë të drejtën ndërkombëtare, ne si BE do përdorim të gjitha instrumentet e nevojshme.”
Ministri i Jashtëm gjerman tha se provokimet e Ankarasë e kanë habitur atë vetë dhe Bashkimin Europian, porse solidariteti për shtetin grek nuk ka ndryshuar.
Eksplorimet e Turqisë pranë ishujve grekë u qortuan një ditë më parë edhe nga Uashingtoni.
Shtrëngimi diplomatik dhe frikësimi me veprime ushtarake nuk kanë për t’i zgjidhur tensionet në Mesdheun Lindor, deklaroi zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, teksa ftoi Ankaranë të angazhohet për rifillimin e dialogut me Greqinë të lënë përgjysmë në 2016-n.
Turqia pretendon se një pjesë e territorit dhe zonave ekonomike ekskluzive në Mesdheun Lindor Greqia i ka marrë padrejtësisht, ndaj kërkon t’i rifitojë sipas parimit të ndarjes së ndershme.
Një parim të tillë Ankaraja do ta zbatojë edhe për burimet energjetike në territorin qipriot.
Diskutime rreth kësaj post