Ministria e Shëndetësisë shprehet se aktualisht në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 123 pacientë, 22 janë në terapi intensive dhe 7 pacientë janë të intubuar.
Ndërsa numri i rasteve të reja me koronavirus në vend është i lartë prej disa javësh, Ministria u ka bërë apel qytetarëve që të bashkëpunojnë duke respektuar rregullat anti-covid.
“Rritja e rasteve ditore të ditëve të fundit, rritja e numrit të pacientëve që kanë nevojë për terapi intensive e kanë vendosur sistemin shëndetësor në gatishmëri të shtuar. Por në këtë situatë, Ministria e Shëndetësisë apelon për bashkëpunimin e qytetarëve për respektimin e rregullave, që të kufizohet përhapja e COVID19.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet me një thirrje të gjithë qytetarëve të vendosni detyrimisht maskën në çdo ambient të mbyllur, të respektoni distancën prej të paktën 1.5 metër nga të tjerët dhe të kujdeseni për higjienën personale dhe kolektive“, – apelon Ministria.
Që prej fillimit të epidemisë, në vendin tonë janë regjistruar 4997 persona të infektuar me virusin, ndërsa raste aktive janë 2060. 148 persona kanë humbur jetën, ndërsa numri i të shëruarve ka shkuar në 2789, ku në 24 orët e fundit lanë spitalin 44 persona.
Diskutime rreth kësaj post