Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka thotë se kryeministri Edi Rama si shpresë të fundit për të minimizuar humbjen në zgjedhjet e 25 prillit po përdor çdolloj manovre.
Këtu ai përmendi dhe ofertat për të ndarë pushtetin, ofertë të cilën përveç Lulzim Bashës ia ka drejtuar dhe Ilir Metës.
“Ramës i kanë mbetur vetëm këto forma, diversioni. Basha e deklaroi në konferencë shtypi që Rama i ka bërë ofertë për të ndarë postet. Oferta ka qenë dhe nga ana tjetër. Të njëjtën gjë që na premtonte ne, ia premtonte dhe LSI”, tha Paloka.
Pjesë të kësaj strategjia, nënkryetari i PD-së cilësoi edhe lajmin e përhapur se Presidenti Meta pas zgjedhjeve parlamentare do të jepte dorëheqjen për t’u bërë kryeministër, në mënyrë që të sjellë përçarje brenda opozitës.
Lidhur me ndarjen e posteve brenda opozitës, Paloka tha se vetë kryetarja e LSI-së e ka pranuar tashmë që posti i kryeministrit do t’i takojë PD-së. Ish-deputeti i PD-së u shpreh i sigurt në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare pavarësisht se kreu i mazhorancës mund të ndryshojë rregullat e lojës.
“Me formulë, me koalicion, pa koalicion, ai është humbës por kërkon të minimizojë humbjen me këto manovra. Me çdo formë, me çdo formulë si të dojë kur të dojë ai është i mundur. Ne do të hyjnë më zgjedhje dhe do t’i fitojmë”, nënvizoi Paloka.
Diskutime rreth kësaj post