Vendimi i mazhorancës për të shkuar te ndryshimet kushtetuese më 30 qershor ka alarmuar presidentin Ilir Meta. Si opozita ashtu dhe presidenti kanë reaguar vazhdimisht ditët e fundit, por duket qartë se Meta është shumë herë më i shqetësuar se Basha.
Dje Këshilli Politik nuk dha asnjë rezultat konsensusi dhe kryeministri përmes një reagimi u shpreh qartë se më 30 korrik Kushtetua do të ndryshojë dhe vendi do të shkojë drejt listave të hapura dhe heqjes së koalicioneve. Por ai që ka reaguar i revoltuar është Presidenti i Republikës. Përmes një postimi të gjatë në Facebook, Meta ka kërcënuar Ramën të tërhiqet nga ky veprim.
“Ruajtja e frymës dhe rezultateve të marrëveshjes së 5 Qershorit ka shumë rëndësi për hapjen e negociatave. Këmbëngulja për t’i qëndruar me kokëfortësi datës 30 Korrik, që është vendosur pa pasur ndonjë objektiv konkret, e dëmton stabilitetin dhe rrugën europiane të Shqipërisë. Shqipëria nuk duhet ta humbë momentin historik për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE nga kokëfortësia për të ndryshuar rregullat zgjedhore në mënyrë të njëanshme. Kokëfortësia nuk ofron zgjidhje dhe nuk është në interes të Shqipërisë. I bëj thirrje Partisë Socialiste, si forcë politike me kontribute në procesin e integrimit, që të heqë dorë nga ndryshimi i njëanshëm dhe pa gjithëpërfshirje i Kushtetutës. Është koha të tregojë maturinë që e ka karakterizuar në të shkuarën dhe të vendosë të parin interesin e Shqipërisë”, – tha Meta.
Sipas tij, data 30 Korrik nuk është e lidhur me asnjë interes të Shqipërisë. Meta ka deklaruar se 30 Korriku duhet të anulohet, për t’i hapur rrugë një procesi gjithëpërfshirës dhe konsensual të reformimit të rregullave zgjedhore.
Apelet e Metës
Sipas presidentit, sot prioritet duhet të jetë koronavirusi. Më tej ai ka kërcënuar socialistët se do të mbajnë përgjegjësi personale nëse miratojnë ndryshimet e dakordësuara me opozitën parlamentare. “Nuk dëshiroj të ndalem sot në të gjitha arsyet përse Kuvendi i sotëm është jashtë çdo standardi për të prekur Kushtetutën, pasi këto i ka bërë të qarta edhe Komisioni i Venecias, por në kushtet kur po vdesin qytetarë dhe përmasat e pandemisë COVID-19 po bëhen kërcënuese, çdo dhunim i Kushtetutës do ngarkojë me përgjegjësi historike të gjithë ata që do provokojnë rendin kushtetues në vend, në themel të të cilit janë pluralizmi politik dhe zgjedhjet e lira e të ndershme”, tha ai. Më tej presidenti ka pasur dhe një apel për kreun demokrat Lulzim Basha dhe për bashkëshorten etj. Ai ka kërkuar që të mos largohen nga Këshilli Politik dhe të gjejnë gjuhën e konsensusit. “I bëj thirrje Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar, që në emër të integrimit europian, të vazhdojë me këmbëngulje dhe pa u tërhequr, përpjekjet për arritjen e një produkti konsensual. Hapi i hedhur të premten, nëpërmjet një propozimi për konsensus, duhet të jetë rruga për të ecur përpara, me qëllim gjetjen e pikave që i bashkojnë palët”, tha Meta.
Presidenti i pafuqishëm
Por pse Meta po lufton kaq fort? Madje dhe më fort se PD? Dy janë arsyet. E para është se përmes heqjes së koalicioneve, LSI del partia më e humbur. Zgjedhjet e 2017 janë prova më e qartë. Elementi i dytë është sepse presidenti në këtë rast nuk e kthen dot për rishqyrtim draftin. Ndryshe nga herët tjera kur Kushtetuta i jep të drejtë të kthejë pas ligjet, në rastin e ndryshimit të Kushtetutës, ai është i detyruar ta dekretojë. “Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës”, thuhet në pikën 6 të nenit 177. Pra nëse më 30 korrik drafti miratohet, nuk ka më asnjë kthim pas. Kjo pasi edhe në Kushtetues nuk mund të kërkohet asgjë, pasi Gjykata Kushtetuese shqyrton vetëm ligjet që bien ndesh me Kushtetutën.
Diskutime rreth kësaj post